Taulant Seferi: Krenari të jesh pjesë e Kombëtares, mezi po presim Evropianin
Në konferencën për shtyp të Kombëtares së Shqipërisë në prag të ndeshjes miqësore ndaj Azerbajxhanit, në krah të Sylvinhos ishte i ulur Taulant Seferi.
Seferi u shpreh se po punohet fort, se është krenari për të që është pjesë e Kombëtares dhe se mezi po presin fillimin e Kampionatit Evropian.
Atmosfera brenda grupit
"Gjatë kësaj periudhe kemi punuar shumë fort, me intensitet të lartë me të gjithë stafin. Është krenari të jesh pjesë e Kombëtares, ndjesi shumë e mirë. Ajo çfarë ka më shumë rëndësi është që jemi të gjithë bashkë dhe jemi shumë të lumtur që jemi këtu dhe mezi po e presim Evropianin. Po punojmë fort."
Taulant Seferi foli për konkurrencën dhe Arbër Hoxhën
"Arbër Hoxha është talent i madh, një lojtar me cilësi shumë të mira dhe jam i lumtur që luajti dhe ka vendosur të luajë për Shqipërinë. Pa dyshim që kur ka konkurrencë, edhe grupi bëhet më i fortë, ekipi bëhët më i fortë dhe kjo është diçka e mirë për Kombëtaren shqiptare."
Forma në rritje e Seferit në dy vitet e fundit
"Futbolli ka ulje dhe ngritje, por unë kam shikuar përpara dhe kam pasur qëllimin për të bërë më të mirën time dhe të jem gati për Kombëtaren. Zoti ka dashur që unë të jem këtu dhe kam punuar fort për këtë pjesë dhe shpresoj që do të jemi në formën më të mirë dhe të japim maksimumin."
Evropianin nuk e sheh për rritje vlere
"Evropianin nuk e shoh për kontratë, por si gjënë kryesore për të gjithë kombin shqiptar. Ne jemi këtu për të dhënë dhënë maksimumin dhe për të punuar fort për Kombëtaren shqiptare. Transferimin nuk e mendoj tani, e mendoj pas Evropianit."
Seferi thotë se çdo ndeshje duhet të përgatitet në maksimum
"Ne jemi sulmues, duhet të bëjmë gola. Po punojmë fort dhe jemi të gjithë mirë, pa lëndime. Na mbetet vetëm të punojmë fort, të përgatisim çdo ndeshje në maksimum dhe ia lëmë kohës."
Kombëtarja e Shqipërisë me shpirt luftarak
"Ndeshjet dallojnë nga njëra-tjetra. Ne kemi një grup të fortë, kemi besim. E gjithë ajo që duhet të bëjmë është të japim maksimumin, të përgatisim ndeshjet me radhë, të kemi shpirtin luftarak. Ajo që ka ekipi ynë prej ditës së parë kur ka ardhur trajneri është të jemi të bashkuar dhe të jemi një."
Për fund, Seferi thotë se janë krenarë që bartin këtë fanellë dhe se duhet të japin maksimumin
"Jemi shqiptarë dhe jemi shumë krenarë për këtë që bëjmë për këtë fanellë që e veshim dhe pa dyshim që kjo është një fanellë shumë e rëndë. Jemi të lumtur dhe ne për këtë fanëllë duhet të japim maksimumin. Shpresoj që do të kemi rezultate të mira."