Superliga e Kosovës vazhdon me tri ndeshje, vëmendja në Klinë
Superliga e Kosovës do të vazhdojë sot me tri ndeshjet e mbetura të javës së 13-të, sytë janë te ndeshje Dukagjini – Ballkani, kurse ndeshjet tjera që do të zhvillohen janë Drenica – Malisheva dhe Trepça’89 – Gjilani.
Vëmendja natyrisht që shkon te kampioni i Kosovës, Ballkani, që udhëton në këtë ndeshje në Klinë për t’u përballuar me skuadrën e Armend Dallkut.
Suharekasit do të tentojnë ta vazhdojnë serinë e rezultateve të mira në elitën e futbollit kosovar, kështu duke u afruar sa më shumë me kreun e tabelës, ndërsa Dukagjini do të vijë në këtë ndeshje pas një humbje të pësuar nga lideri momental, Drita.

Kampioni në fuqi në Superligën e Kosovës gjendet në pozitën e dytë me pesë pikë më pak se gjilanasit por që kanë tre ndeshje më pak të zhvilluara, ndërsa Dukagjini gjendet në pozitën e nëntë me pikë të barabarta me Ferizajn e vendit të fundit.
Një ndeshje tjetër e mirë do të jetë ajo mes Drenicës e Malishevës. Të dy skuadrat vijnë nga fitoret shumë të rëndësishme, ku Drenica mposhti Gjilanin me dy gola të vonshëm, ndërsa Malisheva e shkatërroi Ferizajn në shtëpi me rezultat 6:0 në duelin e skuadrave të fundit të tabelës.
Skuadra nga Skenderaj i ka punët pak më mirë, pasi gjendet në pozitën e pestë me 15 pikë pas 12 ndeshjeve të zhvilluara, ndërsa Malisheva në po aq ndeshje ka 11 pikë dhe renditet e shtata.

Ndeshja e fundit por jo nga rëndësia është ajo që zhvillohet në Riza Lushta mes Trepçës’89 e Gjilanit.
Mitrovicasit nuk po arrijnë assesi të këndellën dhe të marrin një seri të rezultateve të mira dhe shpeshherë ndodhë që nuk mund ta mbajnë epërsinë e krijuar, në anën tjetër Gjilani në pesë ndeshjet e fundit ka shënuar tre humbje dhe shpreson kthimin tek fitoret, për ta mbajtur gjallë shpresën për kreun e tabelës.

Skifterët janë në pozitën e katërt në tabelë me 18 pikë në 12 ndeshje me tre pikë më pak se Prishtina e vendit të tretë, ndërsa Minatorët janë në zonën e rrezikshme pra pozitën e tetë me 10 pikë në 10 ndeshje.
Të tri ndeshjet e mbetura do të zhvillohen në orarin e njëjtë, me fillim nga ora 13:00.