Superliga e Kosovës rikthehet me tre super ndeshje, vëmendja në Prishtinë - NACIONALE

Superliga e Kosovës rikthehet me tre super ndeshje, vëmendja në Prishtinë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot (e shtunë) do të zhvillohen tre ndeshje interesante në kuadër të xhiros së 29-të në Superligën e Kosovës.

Derbi më interesant do të jetë mes FC Prishtinës dhe Ferizajt, që zhvillohet në "Fadil Vokrri".

"Bardhëkaltërit" pësuan humbje nga Dukagjini në xhiron e fundit andaj synojnë të këndellen sa më parë që të luftojnë për një vend në Evropë.

Në anën tjetër, Ferizaj po vazhdon formën e mirë ku në pesë ndeshjet e fundit ka vetëm një humbje prandaj padyshim do të luftojnë vetëm për pikët e plota.

Sfidë tjetër interesante është edhe mes Trepçës '89 dhe Llapit, dy skuadra me objektiva të ndryshëm.

Mitrovicasit ende po luftojnë për qëndrimin në elitën e futbollit kosovar, derisa skuadra e Tahir Batatinës i është afruar top treshes, që të dërgon direkt në garat evropiane.

Kurse, në përballjen e tretë, Malisheva do ta mirëpres Gjilanin. Të dy skuadrat nuk është që po kalojnë formën më të mirë të mundshme andaj pritet të synojnë vetëm fitoren.

Të tre takimet do të nisin me fillim nga ora 15:00.

Lajme të ngjashme