Suhareka ia bën bajat Llapit, skuadra e Batatinës nëntë ndeshje pa fitore në Superligë - NACIONALE

Suhareka ia bën bajat Llapit, skuadra e Batatinës nëntë ndeshje pa fitore në Superligë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Suhareka ka shënuar fitore të thellë 4:0 në shtëpi ndaj Llapit, në ndeshjen e xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës.

Skuadra e Tahir Batatinës tani është nëntë ndeshje pa fitore në elitën e futbollit kosovar, me fitoren e fundit që ishte pikërisht ndaj Suharekës, me rezultatin 3:0.

Suhareka që është promovuar në këtë sezon në Superligë, tregoi paraqitje fantastike në pjesë të parë, ku shënoi tre gola.

Fillimisht, Mevlan Zeka, e hapi serinë e golave, kur në minutën e 15-të, u tregua i saktë nga penalltia, për rezultatin 1:0.

Dy minuta më vonë, Arvanit Rexhaj, e dyfishoi epërsinë, ndërsa në minutën e 22-të, Eneid Kodra, realizoi për 3:0.

Te Llapi u treguan të pafuqishëm për të ndryshuar diçka në këtë përballje dhe deri në vërshëllimen e fundit, ndërsa Suhareka me Lorik Boshnjakun realizuan për 4:0 në minutat shtesë.

Me fitoren 4:0 të Suharekës, këta të fundit kanë tani 22 pikë dhe janë në vendin e pestë, me katër pikë më pak se Prishtina e vendit të katërt.

Llapi në anën tjetër ka pozitën e shtatë me 17 pikë, aq pikë sa kanë vendi i tetë dhe i nëntë.

Lajme të ngjashme