Statistikë e pabesueshme: FIFA tregon për shpejtësinë e topit te goli i Rashford
Shtëpia e futbollit botëror, FIFA, ka dalë me statistika të pabesueshme në golin hapës të Anglisë ndaj Uellsit, të cilin e shënoi sulmuesi i Manchester Unitedit, Marcus Rashford, nga një gjuajtje e lirë.
Sulmuesi i Anglisë zhbllokoi rezultatin vetëm pesë minuta pasi filloi pjesa e dytë, të ndjekur pastaj edhe nga dy gola të tjerë, për fitoren 3:0 të skuadrës së Gareth Southgate.

FIFA ka publikuar tani të dhënat nga goli hapës i takimit, duke përdorur teknologjinë e vendosur brenda topit, dhe numrat thjesht janë të pabesueshëm.
Nga teknologjia brenda topit ‘Al Rihla’ u konfirmua se shpejtësia e goditjes fillimisht ishte 115,63 kilometër për orë, ndërsa shpejtësia mesatare e rrugëtimit të topit deri në rrjetë ishte 102 kilometra për orë.
Teksa topi po shkonte në drejtim të portës, ai kishte një normë mesatare rrotullimi prej 6,21 rrotullimesh në sekondë, gjë që ndihmoi që trajektorja e topit të ishte e papërshtatshme për portierin uellsian.

Ky gol u shënua nga një distancë prej 23,39 metrave larg nga porta.

Rashford shënoi edhe golin e tretë, ndërsa të dytin e shënoi Phil Foden, rezultat me të cilin ‘tre luanët’ e përfunduan grupin në krye të tabelës dhe tani në 1/8 e finales do të përballen me Senegalin, këtë të diele në mbrëmje.

