Spektakël me gola – Prishtina dhe Trepça ’89 ndajnë nga një pikë - NACIONALE

Spektakël me gola – Prishtina dhe Trepça ’89 ndajnë nga një pikë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Raste të krijuara dhe shumë gola karakterizuan ndeshjen e mbetur të xhiros së 9-të mes Prishtinës dhe Trepçës ’89, që përfundoi 2:2.

Ashtu siç pritej dhe jemi mësuar t’i shohim ndër vite këto dy skuadra, ashtu edhe ndodhi. Prishtina dhe Trepça ’89 dhuruan një spektakël golash, duke ndarë pikët mes vete.

Ndeshja ishte me një volum të kënaqshëm loje, ku sulmet nuk rreshtnin sa nga njëra anë, ashtu edhe nga ana tjetër.

Më mirë ndeshjen e nisi Prishtina, e cila menjëherë u vërsul në sulm. Ishte Genc Hamiti ai që në minutën e 4-të nga një penallti në lëvizje shënoi për t’ia dhënë ekipit të tij epërsinë 1-0.

Prishtina në minutat në vazhdim pati edhe disa raste tjera për shënim, por pa mundur t’i konkretizojë ato, për mungesë të efikasitetit.

Kështu, Trepça ’89 filloi që ta merrte veten pas gjysmë orë lojë. Ishte golashënuesi më i mirë në kampionat, Christian Mba, ai që në minutën e 35-të shënoi një gol kryevepër.

Në minutën e 35-të sulmuesi 23-vjeçar u shmang ndaj dy lojtarëve kundërshtarë, duke koordinuar një goditje vërtet të fuqishme, e cila përfundoi në cepin e majtë të lartë të portës së Prishtinës, për t’i barazuar shifrat në 1:1.

Deri në fundin e pjesës së parë ishin mysafirët ata që treguan freski më të madhe dhe aksione më të rrjedhshme, ku shpesh rrezikuan me anë të kundërsulmeve që ta përmbysnin rezultatin.

Pjesëloja e parë mbaroi me rezultat 1:1. Në pjesën e dytë sërish u rikthye në skenë Christian Mba. Sulmuesi i spikatur i “xehetarëve” në minutën e 49-të shënoi nga një pozitë e volitshme në brendi të zonës për ta përmbysur rezultatin në 1:2.

Prishtina bëri disa zëvendësime. Trajneri Munishi urdhëroi lojtarët e tij që të luanin me rreshtimin e mbrojtjes me tre.

Ky ndryshim taktik riktheu kryeqytetasit mbizotërues në lojë. Prishtina sërish me të gjitha forcat sulmoi në përpjekje për ta barazuar rezultatin.

Tek në minutën e 76-të ai erdhi përmes 33-vjeçarit, Muhamedin Useinit, i cili i gjendur në poztë të favorshme brenda 16-metërshit, goditi saktë për ta rikthyer në baraspeshë rezultatin në 2:2.

Deri në fundin e lojës pati aksione nga të dy anët e fushës, me ekipet që nuk ishin të kënaqura që të dilnin nga kjo ndeshje me një barazim.

Mirëpo, asnjëra nuk arriti që ta shënonte një tjetër gol, duke bërë që fishkëllima e fundit e gjyqtarit të ndeshjes të vinte në minutën e 96-të pas gjashtë minutave shtesë të akorduara, me të dy ekipet që u ndanë në paqe, baras, me rezultat 2:2.

Pas këtij barazimi Prishtina mbetet në pozitën e 3-të me 22 pikë, kurse Trepça ’89 në pozitën e 8-t me 12 pikë.

Lajme të ngjashme