Spalletti: Amir Rrahmani është lider i skuadrës - NACIONALE

Spalletti: Amir Rrahmani është lider i skuadrës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Largimi i Kalidou Koulibaly ka nxitur një zemërim në ambientin napoletan, meqë personifikohej si lider i lindur. Mirëpo Spalleti lider e sheh edhe Amir Rrahmanin.

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, po vijon të vlerësohet shumë nga Napoli, nëse vëmë kontekstin te deklaratat e Luciano Spallettit, respektivisht trajnerit të skuadrës.

Falë paraqitjeve të mira që ka bërë mbrojtësi kosovar, ka bindur qoftë tifozët apo drejtuesit e klubit napoletan, që ta konsiderojnë mjaft shumë angazhimin e tij.

Emri i tij u lakua edhe në intervistën e sotme dhënë për mediumin "DAZN" për shtyp nga ana e Spallettit, gjë që flet më së miri për peshën që ka filluar ta ketë Rrahmani.

Spalletti me elozhe për Rrahmanin

"DAZN" po vazhdon t'i intervistojë akterët kryesorë të klubeve italiane. Në radhë ishte Luciano Spalletti, i cili për pritshmëritë e skuadrës që drejton në këtë sezon që vetëm se ka filluar. Këtu nuk ka munguar edhe përmendja e emrit të Amir Rrahmanit nga ana e trajnerit italian.

"Kur bëhen në mënyrë kaq drastike ndryshimet (duke iu referuar largimeve të ish-senatorëve të skuadrës, si Insigne, Mertens apo edhe vetë Koulibaly), ka nevojë për pak kohë për t'u zhvilluar liderë të tjerë. Ne dikë e kemi që tani gati: Rrahmani, Di Lorenzo dhe Anguissa. Osimhen duhet të shndërrohet në pikë referimi për ne"
, nënvizoi Spalletti.

Amir Rrahmani për një kohë të gjatë ka formuar dyshen e mbrojtjes me Koulibalyn. Për ndeshje të tëra ka arritur që ta mbajë portën e paprekur, duke treguar edhe një shkallë të lartë të mirë-organizimit dhe kompaktësisë defanzive.

Zhvillimi i mirë i Rrahmanit te Napoli

Napoli bleu kartonin e mbrojtësit kosovar në janarin e vitit 2020, kur ai ishte akoma lojtar i Hellas Veronas. Në fakt, Napoli e la në formë huazimi për gjashtë muaj që të qëndronte në radhët e klubit veronez, para se të transferohej gjatë fillimit të edicionit 2020/2021 për Napolin.

Rrahmanit i skadon kontrata me Napolin pas dy vitesh, por nga ajo që raportohet në mediet lokale napoletane, thuhet se drejtuesit e klubit shumë shpejt pritet t'ia propozojnë një ofertë konkrete për vazhdimin e kontratës, ngase e shohin si titullar të paprekshëm, aq më shumë pas largimit të Koulibalyt, kur pritet që t'i atribuohen edhe më shumë përgjegjësi.

Tani do t'i duhet që ta ndërtojë një kimi me zëvendësuesin e Koulibalys që është afruar në skuadër, mbrojtësin japonez, Kim Min-jae, me të cilin Rrahmani do të përpiqet që t'i bashkërendojë detyrat defanzive.

Lajme të ngjashme