Sot mësohen dy çerekfinalistët e fundit të EURO 2024
Faza e 1/8 së finales së Kampionatit Evropian mbyllet sot (e marte), me dy ndeshjet e programuara, të cilat do të japin dy çerekfinalistët e fundit të EURO 2024.
Rumania përballet me Holandën, ndërsa Austria me Turqinë.
Rumania ishte pjesë e grupit E, ku pas tri ndeshjeve grumbulloi katër pikë, për të kaluar në fazën e eliminimit direkt si lidere, ndërsa në anën tjetër, Holanda pas një fillimi të mirë, dëshpëroi në fund, duke u kualifikuar vetëm nga vendi i tretë pas Austrisë dhe Francës.
Kjo përballje do të zhvillohet me fillim nga ora 18:00 në Allianz Arena, ku gjyqtari kryesor i takimit do të jetë gjermani, Felix Zwayer, i ndihmuar nga dy asistentët Lupp edhe Achmuller. Gjyqtar i katërt është Sieber, ndërsa në VAR do të jetë Dankert.
Holanda cilësohet favorite për të kaluar tutje, për shkak të cilësisë në skuadër, po Rumania ishte një befasi e ëmbël në grupe, duke treguar paraqitje të mira në fushë.
Në anën tjetër, takimi që fillon në orën 21:00 është mes Austrisë dhe Turqisë.
Austria çuditi të gjithë kur përfundoi e para në grup, para Francës dhe Holandës, madje këtë të fundit e mposhti në ndeshjen e fundit, dhe sipas njohësve të futbollit, kjo skuadër e udhëhequr nga Ralf Rangnick mund të shkojë shumë larg.
Turqia në anën tjetër mori pozitën e dytë në grupin F, vetëm pas Portugalisë, duke treguar paraqitje të mira në dy ndeshje, teksa pësoi humbje të thellë nga portugezët.
Kjo përballje zhvillohet në Leipzig Stadium, me Austrinë që po cilësohet si skuadra që do të kalojë tutje në çerekfinale.
Gjyqtari kryesor i takimit është portugezi, Artur Soares, i ndihmuar nga Paulo Soares dhe Ribeiro. Gjyqtari i katërt është ukrainasi Balakin, ndërsa në VAR do të jetë portugezi Martins.
Kujtojmë se me të mësuar sot dy çerekfinalistët e fundit të Evropianit, do të ketë tre ditë pushim dhe më 5 korrik fillon 1/4 e finales me dy përballjet e para që janë Spanjë - Gjermani dhe Portugali - Francë.