Son nuk është më i paprekshëm, Conte: Të gjithë lojtarët duhet ta pranojnë rotacionin në formacion - NACIONALE

Son nuk është më i paprekshëm, Conte: Të gjithë lojtarët duhet ta pranojnë rotacionin në formacion

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Tottenham e ka nisur relativisht mirë sezonin e ri, duke marrë rezultate të mira në të dy kompeticionet, si në Premierligë, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve. Formë po aq të mirë nuk po gëzon edhe Son.

Asnjë gol i shënuar qoftë në kampionat, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve. Për koreanin jugor, Son, fillimi i sezonit të sivjem është një nga më të dobëtit që ka shënuar ndonjëherë.

Antonio Conte para gjashtë javësh e çonte në qiell atë, duke zgjedhur fjalët më të mira të mundshme. Tani trajneri italian nuk mendon më se sulmuesi anësor 30-vjeç është i paprekshëm.

Forma e mirë e lojtarëve të tjerë si Kulusevski dhe Richarlison, ka bërë që Conte të reflektojë në lidhje me formacionin titullar sa i përket repartit sulmues.

Nevoja e pranimit të rotacionit

Në suazë të përgjithshme të gjithë sportistët janë të prirë që të mos e pranojnë lehtë të ulurit në bankën rezervë, ngase mëtojnë të jenë protagonistë me skuadrat përkatëse.

Antonio Conte në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes në udhëtim kundër Sporting Lisbonas në Ligën e Kampioneve, ka paralajmëruar se do të ketë ndryshime në formacion.

“Kur përpiqesh me ambicie të ndërtosh diçka të rëndësishme dhe kërkon të jesh konkurrues dhe të luftosh për të fituar, duhet edhe t’i zëvendësosh lojtarët që luajnë. Në të kundërtën, do të vazhdojmë të mbesim pa ekuilibër në këtë sezon. Të gjithë lojtarët duhet ta pranojnë rotacionin, sepse mbi të gjitha në sulm kemi katër lojtarë”, nënvizoi Conte.

Ai tregoi se sa të vështirë e ka që ta bëjë zgjedhjen rreth sulmuesve me të cilët vendos që të luajë nga minuta e parë.

“Është mjaft e vështirë ta eliminosh njërin, por më duhet ta marr një vendim prej më të mirëve për skuadrën dhe për vetë lojtarët”
, shtoi ai.

Trajneri italian ka theksuar se dëshiron ta ndryshojë qoftë qasjen, ashtu edhe kursin rreth lojtarëve.

“Jam këtu për t’i ndryshuar zakonet e vjetra. Lojtarët ishin të mësuar që t’i luanin të gjitha ndeshjet. Në këtë moment kemi një skuadër numerikisht të madhe, por duhet të fillojmë ta ndërmarrim një rrugëtim ndryshe nga ai i mëhershëm”, tha ai.

Tottenham arriti që ta fitojë ndeshjen e parë në Ligën e Kampionëve si nikoqir, duke mposhtur me anë të dy golave të Richarlison skuadrën e Marseille, ndaj të cilës hasi në vështirësi të madhe deri në çerekun e fundit të takimit.

Përballja ndaj Sporting Lisbonas do të jetë mes dy skuadrave që ndajnë kreun e tabelës me 3 pikë. Andaj, një fitore si mysafir do ta shpinte Tottenhamin drejt një rruge të mirë për t’u kualifikuar në mesin e 16 ekipeve më të mira në kompeticionin më të madh evropian.

Lajme të ngjashme