“S'na duhet”: Mesfushori "dardan" dërgohet në stërvitje me ekipin e rezervave nga trajneri i tij - NACIONALE

“S'na duhet”: Mesfushori "dardan" dërgohet në stërvitje me ekipin e rezervave nga trajneri i tij

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kampionati polak do të rikthehet në fundjavë pas pauzës së gjatë dimërore. Për mesfushorin e Kombëtares së Kosovës, Florian Loshaj, nuk do të jetë një rikthim normal. Trajneri i Cracovias bëri të ditur që nuk u duhet dhe se e kanë dërguar të stërvitet me skuadrën e rezervave.

Mesfushorët “dardanë” vijojnë kokëçarjet e tyre për të gjetur një stabilitet të nevojshëm në skuadrat ku aktivizohen. E njëjta vlen edhe për Florian Loshajn.

Trajneri i Cracovias, Jacek Zielinski, bëri të qartë se nuk llogarit më në shërbimet e kosovarit. Për mediet polake ai njoftoi se Loshaj është duke u stërvitur me skuadrën e rezervave.

“E kemi ndihmuar në çdo situatë të mundshme. Për momentin nuk na duhet. Nuk kemi interesim për të. Nëse na mungon një lojtar në mesfushë, do t’i shfrytëzojmë talentët tanë të rinj që kemi”, tha ai.

Loshaj gjatë këtij sezoni ka humbur pozitën e titullarit te skuadra e madhe e kampionatit polak. Vetëm shtatë herë është inkuadruar nga minuta e parë, ndërsa në tetë herë tjera ka hyrë vetëm në pjesë të dytë. Në dy ndeshje tjera ai ka qëndruar vetëm në bankinë, pa u futur fare në fushë si zëvendësues.

Vetëm një gol dhe një asist është bilanci i tij në sezonin aktual. Mollë sherri mes tij dhe klubit duket se është kontrata. Ajo i skadon në qershor të këtij viti dhe nga të dy palët ngjan se nuk ka ndonjë dëshirë për ta vazhduar bashkëpunimin.

Loshaj është pjesë e tre lojtarëve të Cracovias, të cilëve klubi ua ka kumtuar lejen për të negociuar me këdo që nga afati kalimtar dimëror. Dëshira e klubit është që të inkasojë sadopak ndonjë shifër parash, qoftë edhe modeste, nga një transferim i tij i mundshëm ditëve të ardhshme.

Poqë kjo gjë nuk ndodh, ai rrezikon të mbesë nën margjinat e skuadrës për gjysmë sezoni të tërë, pa pasur minuta në fushë dhe kështu duke i rënë vlera e kartonit gradualisht. Humbja e një largim gjatë verës do të ishte e dyfishtë, sepse nga aspekti financiar klubi nuk do të fitonte asgjë nga largimi i tij, kurse nga aspekti sportiv i vetë lojtarit zgjatja e këtij momentumi e dërgon atë në një situatë të pavolitshme edhe sa i përket kondicionit fizik.

Voca dhe Kryeziu kanë kaluar në situata simetrike para pak vjetësh. Natyrisht se kjo krizë në të cilën po kalon 26-vjeçari nuk është një ogur edhe për Kosovën, e cila pas dy muajsh do t’i nisë kualifikimet për Evropianin 2024. Loshaj ka qenë titullar në shumë ndeshje të “dardanëve” gjatë njëvjeçarit të fundit.

Lajme të ngjashme