S’ka të ndalur Liverpooli, pas Realit fiton edhe ndaj Man Cityt
Liverpooli e ka fituar edhe derbin kundër Manchester Cityt, në kuadër të xhiros së 13-të në Premierligë.
“Reds” i arkëtuan pikët e plota me plot meritë, shkaku që ishin dukshëm më të mirë se kundërshtarët, ku epilogu përfundimtar doli të jetë 2:0.
Mo Salah dhuroi një asistim mahnitës te Cody Gakpo, i cili shënoi lehtë në portën e zbrazur për të kaluar Liverpoolin në epërsi.
Liverpooli pastaj lehtë mund të dyfishonte epërsinë, por që shtylla e shpëtoi Cityn pas goditjes së Van Dijk me kokë.
Vendasit ishin më të mirë edhe në pjesën e dytë, ku Mo Salah kishte dy raste shënimi por dështoi nga afërsia.
Sidoqoftë, egjiptiani nuk i dëshpëroi tifozët duke vulosur fitoren nga pika e bardhë pasi Ortega shkaktoi 11-metërsh (78’).
Liverpooli tani ka 34 pikë në Premierligë, nëntë mbi Arsenalin që renditet e dyta ndërsa City zë pozitën e pestë me 23 sosh.