S'ka rehati për Manchester United, e mbyll bilancin e sezonit me humbje financiare - NACIONALE

S'ka rehati për Manchester United, e mbyll bilancin e sezonit me humbje financiare

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Për Manchester United ka qenë një vit shumë i vështirë. Klubi me më së shumti trofe të fituar në Premierligën angleze, nuk ka gjetur assesi rehati në vitet e fundit. Shpenzimet e mëdha jo gjithmonë i kanë dhënë frytet e veta. Madje, në rastin e sezoneve të fundit, ato kanë qenë jo produktive, pasi nuk e kanë bërë dallimin në fushë. Kësisoj, edhe në fund të këtij sezoni Manchester United duhet t'i bëjë llogaritë me bilancin financiar që nuk i buzëqesh aspak, me dhjetëra-milionë euro humbje.

Ky i sivjemi ishte parashikuar një sezon ku 'djajtë e kuq' do të ishin protagonistë së bashku me Manchester Cityn dhe Liverpool. Të paktën një projeksion të tillë e bënin shumë analistë sportivë në Angli, të shtyrë edhe nga fakti që klubi i kuq nga Manchester vinte nga një sezon paraprak ku e kishte mbajtur statusin e nënkampionit. Me afrimet e lojtarëve të rëndësishëm si Sancho apo Varane, si dhe me rikthimin mitik të Cristiano Ronaldon në 'Old Trafford', mundësitë që ata të bënin një sezon të mirë veçse rriteshin.

Në fund fusha flet më së miri dhe ajo dha një tjetër verdikt. Manchester United u dashtë të kënaqet vetëm me vendin e gjashtë në pozitën tabelare, për ta shënuar kësisoj një dështim epokal, pasi më mirë nuk i rodhën punët as në kompeticionet tjera, si kupat vendore në Angli dhe në Ligën e Kampionëve ku u eliminua në 1/8-ën e finales.

Bilanci i transferimeve të lojtarëve të 'djajve të kuq' për edicionin futbollistik 2021/2022 shënon 30,70 milionë euro inkasime nga shitja e kartonëve të futbollistëve, kurse përgjithësisht 283 milionë i kanë kushtuar afrimet e reja.

Për këtë arsye, të gjitha këto shpenzime, të cilat në fund kanë ndikuar edhe në rritje të shpenzime të klubit në paga vjetore të lojtarëve, ku si përfundim Manchester United është në bilanc të kuq financiar prej 52 milionë eurosh. Shpenzimet janë rritur në 509 milionë funta ose 100 milionë më shumë sesa në sezonin e mëhershëm.

Fakti që klubi e mbyll sezonin me këtë bilanc të keq, është tregues jo i mirë, pasi një vit më herët ishte në suficit prej 15,4 milionë funtash.
Nga shumë qarqe është raportuar se për shkak të këtyre bilanceve jo të konsoliduara tashmë, klubi ka menduar për t'i reduktuar pagat e lojtarëve në 25%, veçmas nga momenti kur nuk është siguruar kualifikimi në Ligën e Kampionëve.

Në atë rast Cristiano Ronaldo do të duhej t'i sakrifikonte 385 mijë funtat në javë, për t'i pranuar 288 mijë sosh - gjithmonë nëse do të mbetet edhe për sezonin e ardhshëm.

Për shkak të mungesës së rezultateve, si dhe për menaxhimin e dobët, vazhdimisht tifozët kanë kërkuar largimin e pronarëve Glazer.

Lajme të ngjashme