Sir Alex Ferguson: Manchester Unitedi i kompletuar me Onanën dhe Hojlundin
Trajneri legjendar i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, beson se djajtë e kuq janë të kompletuar me transferimin e sulmuesit Rasmus Hojlund dhe portierit Andre Onana.
United nënshkroi me sulmuesin Hojlund nga Atalanta për shumën afër 80 milionë euro në fillim të këtij muaji dhe portierin Onana për 55 milionë euro nga Inter në korrik, që pasuan transferimin e mesfushorit Mason Mount nga Chelsea për 65 milionë euro.

Pavarësisht këtyre përforcimeve, Unitedi mori një fitore jo bindëse 1:0 ndaj Wolves të hënën, megjithëse Hojlund ishte jashtë me një problem me shpinën. Para ndeshjes, ish-trajneri legjendar Ferguson lavdëroi punën e Erik ten Hag që po bën në Old Trafford dhe tha se dy nënshkrime në veçanti i kanë dhënë Djajve të Kuq një skuadër më të plotë.

"Unë mendoj se Ten Hag ka bërë një punë fantastike," tha Ferguson për CBS Sports. "E mori situatën në dorë dhe ka sjellë lojtarët e tij, gjë që ishte e rëndësishme. Nëse ai e përgatit qendërsulmuesin [Hojlund] shpejt, ata do të jenë një skuadër shumë e mirë. Kjo është ajo që atyre u ka munguar vërtet gjatë viteve të fundit. Pjesa tjetër e ekipit është shumë e mirë. Ata kanë përvojë të madhe, mbrojtësit me [Raphael] Varane dhe [Lisandro] Martinez. Përvojë në mesfushë me [Christian] Eriksen dhe Casemiro. Themelet janë aty dhe ata janë të kompletuar nga portieri dhe qendërsulmuesi. Portieri i ri është shumë atletik dhe qendërsulmuesi shpresojmë se mund të fitojë shpejt formë."

United dëshiron të rikthehet në garën për titujt kryesorë këtë sezon pasi fitoi Kupën Carabao dhe përfundoi në katërshen më të mirë në sezonin 2022-2023. Djajtë e Kuq investuan mirë në tregun e transferimeve dhe Ten Hag do të shpresojë se ata mund të jenë konkurrues në Premierligë dhe Ligë të Kampionëve këtë sezon.

