Simeone e thumbon Real Madridin pas humbjes: Ma kujton Atleticon e Diego Costas me kundërsulme - NACIONALE

Simeone e thumbon Real Madridin pas humbjes: Ma kujton Atleticon e Diego Costas me kundërsulme

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, e ka thumbuar Real Madridin pas humbjes në derbi, duke pretenduar se ia kujton Atleticon e dikurshme që dikur kritikohej për lojë me kundërsulme.

Real Madridi e mposhti 2:1 Atleticon në Wanda Metropolitano të dielën, falë golave nga Rodrygo dhe Fede Valverde, për ta vazhduar ecurinë e përkryer të fitoreve në sezonin e ri në La Liga.

Reali i Carlo Ancelottit është kampion në fuqi në Spanjë dhe mbret i Evropës në Ligën e Kampionëve, por Simeone ka sugjeruar se ai është një ekip kundërsulmues që i ngjan Atleticos së tij të dikurshme me Diego Costan në krye.

Duke folur para mediave pas disfatës në derbi, Simeone tha: “Ta shohësh një ekip që qëndron shumë mbrapa dhe del në kundërsulme kështu, ma kujton ekipin që kisha me Costan, kur na kritikonin atëherë”.

“Ata bëjnë lojë shumë të mirë direkte, të shpejtë në tranzicion nga mbrojtja në sulm, me forcë, me mbrojtje të organizuar. Ata luajnë mirë, i shfrytëzojnë mundësitë e veta. Kjo është një punë shumë e mirë nga trajneri i Madridit. Ata bëjnë kundërsulme me shpejtësi të madhe dhe kanë talent të qartë”, nënvizoi ai.

Skuadra e Atleticos me Costan në sulm fitoi trofe vendorë dhe evropian, falë taktikave të Simeones që e bënë atë legjendë të klubit.

Por jo gjithçka po shkon mirë për Atleticon këtë sezon, pasi disfata kundër rivalit ishte e dyta në gjashtë ndeshje që bën që ajo të ngel plot tetë pikë mbrapa Madridit në renditjen tabelore.

Ndërkohë, Real Madridi i ka fituar të gjitha nëntë ndeshjet në të gjitha garat këtë sezon. Kjo është hera e tretë që i fiton nëntë ndeshjet e para në një sezon, pas sezoneve 1961/62 dhe 1968/69.

Dalë triumfit në derbi, Reali tani është në krye të tabelës në La Liga me 18 pikë, dy më shumë se Barcelona, e cila është e pamposhtur në ligë këtë sezon po ashtu.

Lajme të ngjashme