Si ia formësoi karrierën Mikel Artetës operacioni i zemrës së hapur
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka zbuluar se si një operacion në zemër të hapur ia ka ndryshuar karrierën në futboll.
Në dokumentarin e Amazon Prime për Arsenalin, Arteta flet hapur para futbollistëve të tij për operacionin që ia kishte shpëtuar jetën në moshën dyvjeçare, raporton Nacionale.
Arteta foli në hollësi për këtë çast edhe në një bisedë me BBC-në, para publikimit të dokumentarin “Gjithçka apo Asgjë” të enjten.
“Asnjëherë nuk kam folur për këtë me askënd”, tha Arteta.
“Mendoj se 90 për qind të djelmoshave dhe stafit të klubit nuk e dinin për këtë çështje. Por si u ndjeva pak para atij çasti, nuk është diçka që e planifikova”, nënvizoi ai.
Arteta është ish-kapiten i Arsenalit për të cilin i bëri 150 paraqitje nga viti 2011 deri në vitin 2016, pasi i kishte kaluar gjashtë vjet në Everton paraprakisht.

Më herët në karrierën e vet si futbollist, ai kishte luajtur dy vjet për klubin skocez Rangers dhe pastaj për Real Sociedadin në vitin 2004.
Por bërja futbollist profesionist nuk ka qenë gjithmonë e mundshme për spanjollin, sepse në rininë e tij mjekët i kishin thënë se nuk do të ishte në gjendje të bënte shumë stërvitje për shkak të gjendjes së zemrës së tij.
“Unë u linda me një telash të madh në zemër, të cilin nuk mund ta zgjidhja deri në moshën dyvjeçare, sepse isha shumë i vogël”, tregoi Arteta.
“Mjekët u desh të ma hapnin zemrën dhe të punonin në të. Ai ishte njëri prej operacioneve të para që ishte bërë në atë mënyrë në Spanjë, prandaj nuk e dinim se si do të përfundonte”, shtoi ai.
“Unë isha fëmijë shumë i gjallë, mjekët i thoshin prindërve të mi se unë duhej të qetësohesha dhe se unë nuk do të mundë të bëja shumë ushtrime me atë telash në zemër”.
Arteta ishte në gjendje ta përmbushte dashurinë për futboll falë stafit mjekësor i cili e kreu operacionin në të para 38 viteve.
I pyetur nëse ajo përvojë e formësoi atë si të ri, ai tha: “Mendoj se po në njëfarë mënyre”.
