Shtohen problemet për Man Cityn, Kyle Walker mungon ndaj Realit
Manchester City nuk mund të llogarisë në shërbimet e mbrojtësit Kyle Walker në ndeshjen e parë çerekfinale ndaj Real Madridit, kështu së paku ka deklaruar trajneri Pep Guardiola.
Anglezi e humbi derbin ndaj Arsenalit në vikendin e kaluar, shkaku i lëndimit që pësoi derisa po përfaqësonte kombëtaren e tij në miqësoret e muajit mars.
E mesa duket ky lëndim do ta mbajë jashtë edhe në derbin ndaj Real Madridit, me Guardiolan që ka konfirmuar se doktorët e kanë njoftuar se nuk do të jetë gati, por ai ka pak shpresë.
“Doktori tha se Kyle Walker nuk do të jetë gati që të luajë ndaj Real Madridit në javën tjetër”.
“Por, Kyle është Kyle... ka gjenetikë të veçantë. Doktori tha se është pak serioze, mirëpo Kyle është Kyle”, shtoi Guardiola.
Tani mbetet të shihet nëse vërtetë Walker do ta humbasë këtë sfidë, pasi edhe në të kaluarën Guardiola ka “luajtur me klubet kundërshtare”, duke deklaruar se një lojtar s’do të jetë i gatshëm.
Përndryshe, anglezi vazhdon të ketë rol të rëndësishëm te kampioni aktual, si dhe ishte ndër më të mirët në sezonin e kaluar në përballjen ndaj Real Madridit, ku e bllokoi sulmuesin brazilian Vinicius Junior.
Kujtojmë, përballja mes Realit dhe Cityt zhvillohet në “Santiago Bernabeu” me fillim nga ora 21:00 më 9 prill.