Shqiptari Maldini Kacurri nënshkruan kontratë profesionale me Arsenalin
Arsenali i ka blinduar disa nga talentët e rinj me kontrata profesionale, e ndër ta edhe shqiptari Maldini Kacurri.
Mbrojtësi shqiptar zhvilloi 13 paraqitje për skuadrën e Jack Wilshere në Premierligën U18, derisa bëri edhe dy paraqitje për ekipin U21.
Pasi nënshkroi kontratë, Maldini deklaroi se është më i emocionuar se kurrë për të vazhduar punën.
“Jam shumë i lumtur. Është diçka që kam punuar gjatë tërë jetës. Ndihem krenar për vetën time, familja ime është shumë krenare prandaj në përgjithësi jam shumë i lumtur dhe mezi pres të vazhdoj”.
“Që nga fillimi jam ndjerë i mirëpritur. U përshtata menjëherë dhe vërtetë po e shijoj këtu. Është klub i mirë për të qenë këtu. Është mirë të paguajë sado pak mundin e familjes, por sigurisht duhet të bëhet edhe shumë më shumë punë”.
“Nuk ishte vendim i vështirë aspak për ta konfirmuar të ardhmen këtu. Është klub i mirë, kam mësuar dhe jam përmirësuar shumë. E shoh vetën duke u përmirësuar edhe më shumë”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Kacurri është pjesë e grupmoshave të Shqipërisë U19.