Shqipëria përballet me Azerbajxhanin sot, përgatitja finale për EURO 2024
Kombëtarja e Shqipërisë do të përballet me Azerbajxhanin sot në një miqësore të fundit, në prag të fillimit të Kampionatit Evropian.
Ndeshja do të zhvillohet në Hungari, më saktësisht në stadiumin “Haladas Sportkomplexum” me fillim nga ora 19:00.
Trajneri Sylvinho i ka idetë e qarta për këtë ndeshje, ku dje në konferencë për shtyp tha se dëshiron të shohë më shumë nga loja defensive e skuadrës, në përgatitje për ndeshjet e vështira të EURO 2024.
Fokusi i kuqezinjve do të jetë 100% në këtë ndeshje sipas trajnerit, e pastaj do të shikojnë për sukses në Evropian, ku do të përballen me tri kombëtare shumë të forta, si Italia, Kroacia dhe Spanja.
Trajneri e cilësoi Azerbajxhanin një skuadër të mirë dhe që mund ta vendosë skuadrën e tij në vështirësi.
Kuqezinjtë janë takuar në dy raste me këtë kombëtare, fillimisht në vitin 2008 kur barazuan 1:1, e pastaj edhe në vitin 2011, me Azerbajxhanin që fitonte atë kohë 1:0.
Pavarësisht këtij rekordi në dy ndeshje, sot për sot, Shqipëria është favorite, natyrisht janë në Evropian, teksa edhe renditja në FIFA i favorizon, pasi skuadra e Sylvinhos gjendet në vendin e 66-të, ndërsa Azerbajxhani në pozitën e 112-të.
I vetmi i konfirmuar deri më tash në formacionin startues është Jasir Asani, me trajnerin që dëshiron ta shohë se sa është i përgatitur, pasi i njëjti nuk ka luajtur për shumë kohë me skuadrën e tij.
Takimi i sotëm fillon në orën 19:00 dhe pas kësaj ndeshje fokusi do të shkojë krejtësisht te EURO 2024, me ndeshjen e parë që luhet më 15 qershor kundër Italisë.