Shqipëria merr një pikë të artë në Çeki
Kombëtarja e Shqipërisë ka marrë një rezultat pozitiv në udhëtim te Republika Çeke, në kuadër të xhiros së pestë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.
“Kuq e Zinjtë” ia dolën të barazojnë ndaj Çekisë, me epilogun përfundimtar që doli të jetë 1:1.
Pjesa e parë përfundoi ashtu siç nisi pasi asnjëra nga kombëtaret nuk ia dolën ta dërgojnë topin brenda rrjetës.
Vendasit kishin raste më shumë por që Shqipëria pati mundësinë më të mirë me anë të Jasir Asanit, që dështoi përballë portierit vendas.
Çekia e nisi fuqishëm pjesën e dytë duke shënuar menjëherë me anë të Lukas Provod, por pas rishikimit të VAR-it u anulua për pozitë jashtë loje.
Sidoqoftë, vetëm gjashtë minuta më vonë nga ky gol i anuluar, çekët kaluan në epërsi përmes Vaclav Cerny që shënoi përballë Berishës pas një asistimi fantastik të Soucek (56’).
Mirëpo, 10 minuta më vonë ishte ylli i Sassuolos Nedim Bajrami që realizoi një gol të jashtëzakonshëm nga distanca për ta barazuar rezultatin.
Vlen të ceket se në këtë derbi dominuan edhe dyshja nga Kosova Mirlind Daku dhe Arbnor Muja.
Daku në fakt e kishte një rast të artë, por u tregua egoist duke mos asistuar dhe dështuar të shënonte ani pse kishte dy bashkëlojtarë të lirë.
Pas këtij barazimi, Shqipëria renditet e dyta në grupin E me shtatë pikë, derisa Republika Çeke mbetet lider me tetë sosh.
“Kuq e Zinjtë” në përballjen e radhës do ta kenë sfidën direkt me Poloninë, andaj në rast të fitores mund të thuhet se me një “këmbë” janë në Kampionat Evropian.