Shqipëria bën hapin gjigant drejt Kampionatit Evropian, triumfon ndaj Polonisë - NACIONALE

Shqipëria bën hapin gjigant drejt Kampionatit Evropian, triumfon ndaj Polonisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Shqipërisë ka bërë hapin e madh drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian, duke mposhtur në shtëpi Poloninë.

“Kuq e Zinjtë” zhvilluan një paraqitje fantastike për të fituar në fund me rezultat 2:0 në “Air Albania”.

Polonia e nisi më mirë takimin duke pasur disa raste radhazi por që fatmirësisht s’arritën t’i konkretizonin.

Në fakt, polakët shënuan përmes Jakub Kiwior nga afërsia mirëpo VAR-i e anuloi për pozitë jashtë loje.

Kur askush nuk e priste, ylli shqiptar Jasir Asani realizoi një gol të jashtëzakonshëm nga distanca duke lënë të shtangur Szczesnyn për t’i dhënë epërsinë Shqipërisë (37’).

Fitoren e madhe të Shqipërisë pastaj e vulosi qendërsulmuesi Mirlind Daku, vetëm një minutë pasi u inkuadrua në fushë.

Ish lojtari i Kosovës pranoi një pasim fantastik nga Ylber Ramadani dhe pastaj me një goditje të saktë e dërgoi topin brenda rrjetës së polakëve (62’).

Me këtë fitore, Shqipëria merr liderin në grupin E me 10 pikë, dy më shumë se Republika Çeke dhe katër më shumë se Polonia.

Kësisoj, dy ndeshjet e muajit tetor do të jenë ‘jetike’ për “Kuq e Zinjtë” që përballen sërish me çekët dhe pastaj me Moldavinë.

Lajme të ngjashme