Shkëlqen sërish Ronaldo, Portugalia "demolon" Luksemburgun
Kombëtarja e Portugalisë ka shënuar fitore të thellë në udhëtim te Luksemburgu, në kuadër të raundit të dytë kualifikues për Kampionatin Evropian "Euro 2024".
Portugezët triumfuan me rezultat të thellë 0:6, ku Cristiano Ronaldo vazhdoi formën e madhe duke shënuar dy gola.
Pas vetëm nëntë minutave lojë, Nuno Mendes asistoi me kokë për Ronaldon, i cili shënoi nga afërsia për të vendosur në epërsi Portugalinë - VIDEO.
Vetëm gjashtë minuta më vonë, Joao Felix shënoi një gol fantastik nga distanca për të dyfishuar epërsinë - VIDEO.
Portugalia vazhdoi me dominimin e plotë me Bernardo Silvan që shënoi pas një asistimi të Palhinhas (18') - VIDEO.
Për golin e katërt u përkujdes vetë Ronaldo, duke shënuar golin e dytë personal pas një asistimi të Bruno Fernandesit (31') - VIDEO.
Në 45-minutëshin e dytë, ndeshja ishte më e qetë me Portugalinë që vazhdoi të dominonte në posedim, derisa Luksemburgu provoi disa herë me kundërzbritje.
I inkuadruari Otavio shënoi golin e pestë pas një asistimi të Raphael Leaos, duke shënuar nga një pozitë jo e favorshme - VIDEO.
Portugalia fitoren e vulosi përmes sulmuesit Rafael Leao një minutë pa përfunduar koha e rregullt, me yllin e Milanit që dështoi nga pika e bardhë disa minuta më herët - VIDEO.
Me këtë fitore, Portugalia vazhdon të renditët në pozitën e parë në tabelë me gjashtë pikë, derisa Luksemburgu qëndron në pozitën e pestë me një sosh.