Shkëlqen Granit Xhaka, Arsenali fiton me lehtësi ndaj Chelseat
Arsenali është kthyer te rezultatet pozitive, duke fituar me lehtësi ndaj Chelseat me rezultat 3:1, me Granit Xhakën që shkëlqeu në këtë përballje, duke u përfshirë në tre golat e shënuar, teksa paraqitje fantastike bëri edhe kapiteni Martin Odegaard. Tre pikët e plota sot në Emirates e kthejnë skuadrën e Artetës në krye të tabelës, të paktën deri nesër.
Topçinjtë nuk dinin për fitore në katër takimet e fundit, duke barazuar tre e humbur ndaj Manchester Cityt, me çka humbën pozitën e parë në Premierligë, në anën tjetër Chelsea me këtë ndeshje çon në gjashtë numrin e ndeshjeve radhazi të humbura, në krye me trajnerin e përkohshëm, Frank Lampard.
Skuadra e Mikel Artetës dominoi tërësisht takimin, si në raste të krijuara, ashtu edhe në posedim të topit.
Goli i parë u shënua shpejt, kur kaluan vetëm 18 minuta lojë, kur Granit Xhaka asistoi bukur, ndërsa golin edhe më bukur e realizoi Odegaard për 1:0.
Kjo dyshe mori pjesë edhe në dyfishimin e epërsisë, sërish Xhaka asistoi duke harkuar në zonën e rrezikshme, me mesfushorin norvegjez që shënoi një penallti në lëvizje për 2:0 në minutën e 31-të.
Vetëm tre minuta më pas, Arsenali shënoi për 3:0, kësaj radhe shënoi braziliani, Gabriel Jesus nga afërsia, pasi paraprakisht tentoi goditjen Granit Xhaka. Pjesa e parë e takimit u mbyll me këtë rezultat.
Topçinjtë vazhduan edhe në pjesën e dytë të rrezikonin më shumë, me mesfushorin nga Kosova që tentoi të shënonte, por pritja e bukur e Kepas, ia mohoi golin në këtë takim.
Chelsea krejt çfarë arriti të bënte në këtë takim, ishte goli ngushëllues të cilin e shënoi sulmuesi i ri anglez, Noni Modueke në minutën e 65-të, për rezultatin përfundimtar 3:1.
Arsenali tani gjendet në pozitën e parë me 78 pikë, dy më shumë se Manchester City, e cila ka dy ndeshje më pak të zhvilluara, ndërsa Chelsea vazhdon të mbetet në pozitën e 12-të.


