Shkëlqen Darnell Edge, Trepça e fiton edhe gjysmëfinalen e dytë ndaj Prishtinës - NACIONALE

Shkëlqen Darnell Edge, Trepça e fiton edhe gjysmëfinalen e dytë ndaj Prishtinës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

KB Trepça e ka fituar edhe gjysmëfinalen e dytë ndaj KB Prishtinës në kuadër të play-offit të Superligës së Kosovës. Rezultati përfundimtar ishte 86:85 në të mirë të mitrovicasve, ku Darnell Edge ishte i pandalshëm dhe më meritori.

Skuadra nga Mitrovica kishte fituar ndeshjen e parë në palestrën Minatori, ndërsa përballja e sotme ishte shumë interesante, me dy klubet që luftuan deri në fund.

Prishtina e filloi shumë më mirë takimin, duke fituar në 10 minutat e parë me rezultat 28:21, ndërsa çereku i dytë ishte pothuajse i barabartë, me kryeqytetasit që fituan 20:19, për të shkuar në pushim me epërsi prej tetë pikëve, apo 48:40.

Trepça e filloi këndelljen në çerekun e tretë, duke fituar me tri pikë epërsi dhe duke e ulur diferencën në pesë pikë, ku fati i takimit mbeti në periodën e katërt.

Në 10 minutat e fundit, mitrovicasit e përmbysen rezultatin, duke fituar ndeshjen në çastet e fundit. Trepça këtë çerek e fitoi me rezultat 26:20, dhe si rrjedhojë u fitua takimi me vetëm një pikë epërsi 86:85.

Padyshim më i dalluari ishte Darnell Edge, që bëri paraqitje fantastike me 28 pikë, tetë asistime dhe katër rebounds, i ndihmuar nga Tmusic dhe Drilon Hajrizi me nga 15 pikë, e Edwards shtoi 12.

Te Prishtina paraqitje të mirë kishte Clark me 19 pikë, ndërsa edhe tre lojtarë të tjerë kishin pikë dyshifrore, por që nuk mjaftuan që të arrinin te fitorja e parë.

Kështu, Trepça e fiton edhe gjysmëfinalen e dytë, duke çuar serinë në 2:0 dhe atyre ju nevojitet vetëm edhe një fitore për të shkuar në finalen e madhe.

Ndeshja e radhës gjysmëfinale mes këtyre dy skuadrave, që mund të jetë vendimtare, zhvillohet më 28 prill.

Lajme të ngjashme