Shkëlqen Benzema, Reali mposht Valladoidin duke u ngjitur përkohësisht në vendin e parë
Në një ndeshje shumë të tensionuar dhe me shumë kontestime, Real Madridi siguroi fitore 2:0 në udhëtim kundër Valladoid. Tre pikë që e rikthejnë atë momentalisht në vendin e parë në renditjen tabelore.
Dy gola të shënuar, një karton i kuq dhe shumë polemika. Kjo do të mund të quhej një përmbledhje e asaj çfarë ngjau në “Josè Zorrilla”.
Reali nuk ishte shumë bindës, por sërish në formë pragmatike dhe të matur arriti që ta gjejë disi rrugën e fitores. Në fakt, pjesa e parë u luajt e gjitha në baraspeshë në mes të dy ekipeve.
Në pjesën e parë nuk është se u vu re ndonjë lojë tepër ritmike. Valladoidi ia doli mjaft mirë që t’i neutralizojë përpjekjet e kampionit në fuqi për të ndërtuar aksione të rrezikshme për gol.

Gjithçka u vulos në pjesë të dytë sa i përket epilogut të ndeshjes. Ndonëse fillimi i pjesëlojës së fundit të ndeshjes foli në të mirë të ekipit vendës, që ishte më i rrezikshëm, Reali prapëseprapë tregoi që asnjëherë nuk dorëzohet.
Pika e rikthesës në lojë u shënua në minutën e 80-të. Pas një kontakti me dorë nga Sanchez në zonë të rreptësisë, gjyqtari një minutë më vonë vendosi që ta shohë vetë në ekranin e VAR-it nëse ishin predispozitat për të akorduar një penallti.
Me ta parë aksionin në ekran, gjyqtari nuk hezitoi dhe akordoi 11-metërshin në të mirë të Realit. Nikoqirët nuk e morën aspak mirë këtë vendim. Leon protestoi ashpër dhe u ndëshkua me karton të kuq.
Në minutën e 83-të përgjegjësinë për ta goditur penalltinë e mori Benzema dhe u tregua i saktë, duke lënë të shtangur portierin e Valladoidit.
Fituesi i Topit të Artë sërish doli në skenë. Gjashtë minuta më vonë, pasi pranoi në pasim të mirë nga Camavinga në zonën e 16-metërshit, arriti që ta finalizojë bukur aksionin, duke e dërguar topin në rrjetë për 2:0.
Ky ishte goli i 7-të që Benzema shënoi në La Liga, duke iu afruar në vetëm një gol më pak sulmuesit kosovar, Vedat Muriqi.

Me këtë rezultat u mbyll edhe tërë ndeshja. Real Madridi falë kësaj fitore tashmë kryeson në renditjen tabelore me 38 pikë të tubuara, me ç’rast gëzon një kapital prej një pikë më shumë sesa Barcelona, ndonëse katalonasit kanë një ndeshje më pak për ta zhvilluar.

Kujtojmë se Barcelona do të luajë derbin lokal kundër Espanyol nesër me fillim në ora 14:00, e ku do të mund të llogarisë edhe në shërbimet e Lewandowskit.
