Shkëlqejnë Doncic e Irving, Dallas Mavericks e fiton finalen e parë ndaj Minnesota Timberwolves
Luka Doncic dhe Kyrie Irving kanë shkëlqyer për Dallas Mavericks për fitoren në finalen e parë të Konferencës Perëndimore ndaj Minnesota Timberwolves me rezultat 108:105.
Mavericks e mposhtën Oklahoma City Thunder në gjysmëfinale, ndërsa Timberwolves arriti këtu pas triumfit në ndeshjen e shtatë ndaj Denver Nuggets.
Edhe pse shquhen për mbrojtje të fortë, Luka Doncic dhe Kyrie Irving e thyen skuadrën vendase në finalen e parë në Perëndim.
Timberwolves e fitoi çerekun e parë me rezultat 33:27, ndërsa Dallasi u kthye në lojë në 12 minutat në vazhdim për të fituar 32:29, për të shkuar në pushim me rezultat 62:59, pra tre pikë epërsi për vendasit.
Dallas Mavericks në vazhdim ishte skuadër më e mirë për një nuancë, fillimisht për ta fituar çerekun e tretë 23:21, e pastaj 12 minutat e fundit 26:22, për ta fituar ndeshjen me rezultat 108:105.
Kështu, skuadra e Jason Kidd merr avantazhin në serinë finale, që mund të jetë vendimtare, pasi dihet që në tri ndeshjet në vazhdim ata do të kenë dy ndeshje në shtëpinë e tyre.
Në këtë fitore shkëlqeu Luka Doncic me 33 pikë, i ndihmuar nga 30 pikë të Kyrie Irving.
Në anën tjetër, te Minnesota më i dalluari ishte McDaniels me 24 pikë, ndërsa edhe pesë lojtarë të tjerë patën pikë dyshifrore, por që dështuan ta fitojnë ndeshjen në shtëpinë e tyre.
Kujtojmë se në të njëjtën kohë është duke u zhvilluar edhe seria finale në Konferencën Lindore, ku Boston Celtics e ka fituar ndeshjen e parë ndaj Indiana Pacers me rezultat 133:128.
Seria finale zgjat maksimum në shtatë ndeshje, pra skuadra e parë që fiton katër shkon në finalen e madhe.