Shkak paga, ngecin negociatat mes Barcelonës dhe Ousmane Dembeles
Bisedimet për rinovimin e kontratës së sulmuesit Ousmane Dembele dhe Barcelonës kanë ngecur, kështu se paku raportojnë mediumet spanjolle.
25-vjeçari ishte pranë largimit nga “Camp Nou” verën e kaluar si agjent i lirë, para se Xavi Hernandez ta bindte për të rinovuar edhe për dy vite.
Dembele tani ka edhe një vit të mbetur në kontratë dhe Barcelona dëshiron t’ia rinovojë sërish kontratën në mënyrë që të mos përsëritet prapë ajo ‘dramë’.
Mirëpo, bisedimet fillestare tashmë kanë ngecur pasi klubi nuk është në pozitë që t’i ofrojë francezit një pagë më të lartë, kështu raporton “Sport”.
Barcelona synon të i rinis negociatat në sezonin tjetër, kur gjendja e tyre financiare të bëhet më e qartë.
Dembele është i interesuar për të qëndruar te Barcelona, por personat pranë lojtarit besojnë se ai duhet të vlerësohet shumë më shumë prandaj një marrëveshje nuk do të jetë e lehtë.
Raporti shton se ka gjasa që Dembele edhe të largohet në verë nga Barcelona, me PSG-në që ka shprehur interesim të madh dhe nëse largohet Neymar, mund të provojnë ta bindin për kalimin në “Parkun e Princave”.
Francezi këtë edicion ka zhvilluar 28 paraqitje në të gjitha garat duke shënuar tetë gola dhe dhuruar shtatë asistime.