Shënohet rasti i parë me doping në Serie A
Kaotizëm në ambientin e klubit të Atalantas. Mbrojtësi argjentinas, Josè Luis Palomino, ka rezultuar pozitiv në një test të papritur të antidopingut. Atij i është shqiptuar masa e ndalimit nga Tribunali Kombëtar i Antidopingut.
Gjithçka ndodhi papritur. Agjencia e lajmeve ANSA raportoi se Atalanta ka marrë një goditje të rëndë, pasi mbrojtësi i saj, Palomino, pasi është ftuar për ta kryer testin e antidopingut, ka rezultuar pozitiv.
Menjëherë pas rezultatit, Gjykata Kombëtare e Antidopingut ka vendosur që t'ia pezullojë çdo aktivitet mbrojtësit argjentinas, deri në një shqyrtim të radhës që do të pasojë shumë shpejt.
Si erdhi deri te ky rezultat?
Në fakt, vetë testi i antidopingut ishte jo i planifikuar. Ani se të tillët bëhen pa paralajmërime, zakonisht nuk është se kryhen gjatë fazës përgatitore në masë të madhe, aq sa gjatë sezonit.
Mbrojtësi 32-vjeç u konstatua se ka marrë sasi të madhe të Deca Durabolin, i njohur ndryshe si Nandrolone.
Një numër i madh sportistësh në vitet e fundit kanë filluar ta përdorin këtë produkt. Të paktën kjo ka rezultuar në bazë të analizave të urines që i bëjnë konstantshmërisht.
Çfarë është Nandrolone?
Bëhet fjalë për një steroid anabolik, ndër më të njohurit në botë. Fillimisht, qëllimi i krijimit të tij ka qenë të ishte si një lloj rregullatori i metabolizmit të njeriut për shkak të ushqyerjes në mënyrë jo të shëndetshme.
Me kalimin e kohës, përveç këtij tipari, u nënvizua se ndikon edhe në përmirësimin e ndjeshëm të paraqitjeve të një sportisti.

Kjo mësohet të ketë qenë edhe arsyeja kryesore pse mbrojtësi argjentinas ka përdorur produktin në fjalë.
Një përdorim i tillë është rreptësisht i ndaluar në bazë të rregullores të Federatës së Futbollit të Italisë. Për këtë arsye edhe Gjykata Kombëtare e Antidopingut ia ka pezulluar çdo aktivitet sportiv Palominos, deri në një shqyrtim të dytë.
Palomino ka luajtur një rol të rëndësishëm në projektin e Gasperinit. Ai ka qenë prej qendërmbrojtësve me më së shumti minutazh, anipse vetë trajneri italian njihet si ai që më së shumti përdorë rotacion në formacion. Gjatë sezonit të kaluar Palomino u paraqit në 34 të ndeshje të Serie A-s, duke i humbur vetëm katër sosh.