Sheikët e Manchester Cityt jo çdokund të dëshiruar - tifozët e klubit holandez u vendosin bllokadë
Në vitet e fundit jemi dëshmitarë se si pronarët e Manchester Cityt përmes 'City Football Group' janë të interesuar për ta shtrirë dominimin e tyre në çdo cep të kontinenteve, duke blerë aksione klubesh dhe duke vënë çdoherë e më shumë diktatin prepotent mbi industrinë e futbollit. Pothuajse në çdo vend, kudo që ia kanë mësyer për t'i siguruar aksionet e klubeve përkatëse, janë pritur me entuziazëm, marrë parasysh edhe shifrat e çmendura që janë në gjendje t'i vendosin në treg për të blerë lojtarë. Megjithatë, për dikë janë të padëshiruar dhe të tepërt. Një tregim i tillë vjen nga Holanda!
Pronarët e kampionit në fuqi në Premierligë, Manchester City, janë vënë në gjuheti javëve të fundit për të shtrirë influencën e tyre në industrinë e futbollit, duke shfaqur interesim për t'i blerë aksionet e klubeve të ndryshme. Palermo dhe NAC Breda ishin dy të fundit, për të cilat sheikët dëshiruan që t'i kenë në kontroll. Nëse në klubin siçilian diçka e tillë u prit me një entuziazëm të pashoq, në Holandë nuk ndodhi e njëjta.
Madje, kishim të bënim me një protestë të fuqishme të përkrahësve të NAC Breda, e cila ishte përcaktuese që të dështonte përpjekja e 'City Football Group' për t'i blerë aksionet e klubit.
E gjithë kjo vinte edhe pse paraprakisht ishte arritur një paramarrëveshje, ku palët ishin dakorduar që pronësia e klubit t'u kalonte sheikëve për 7 milionë euro, ku do të bëheshin klubi i 11-të në botë dhe i 5-ti në Evropë, që do të ishin nën komandën e tyre.
Ishte një betim i tifozëve më të zjarrët të klubit NAC Breda që është pjesë e kategorisë së dytë [Erste Divisie] të futbollit holandez, që përcaktoi këtë dështim, pasi ata nuk dëshironin që klubi ta humbiste identitetin e tyre dhe të shndërrohej në një fabrikë për lojtarët në huazim.

Pavarësisht rezultateve jo të kënaqshme si skuadër, bëhet fjalë për një tifozëri të organizuar, ku gjithnjë i mbushin 19 mijë ulëset e stadiumit të tyre.
Ata nuk janë mjaftuar për ta kundërshtuar përbrenda një orvatje të tillë. Në një moment, konkretisht thënë më 27 mars të muajit të kaluar, kanë udhëtuar drejt Manchesterit, për ta vendosur një pankartë jashtë stadiumit 'Etihad' me mbishkrimin: "Qëndroni jashtë territorit tonë - NAC nuk është një pazar i City Group".
Jo vetëm kaq. Ata nuk kanë ngurruar që me kore dhe këngë në pothuajse çdo ndeshje të NAC Breda ta kundërshtonin propozimin e shitjes së klubit, bashkërisht edhe me një fushatë në rrjete sociale që e kishin inicuar.
Në fund, përmes një kumtese për shtyp, aksionarët e tanishëm të klubit kanë bërë të ditur që është bërë një prapakthim pas disa negociatave intensive që i kishin zhvilluar me 'City Football Group', për të çuar drejt dështimit të kalimit të pronësise tek ta.
Cilat janë klubet në pronësi të sheikut Mansur dhe ku është qëllimi i tyre?
E përditshmja britanike, The Guardian, kur doli në sipërfaqe projekti 'City Football Group' në vitin 2013, e pati quajtur si "plani i Manchester Cityt për ta dominuar botën".
Në fakt, ashtu po del të jetë. Kemi të bëjmë me një mori klubesh në nivel botëror ku aksionarë janë sheikët e klubit anglez.
Klubet që janë në pronësi të 'City Football Group' me në krye Mansur, janë: Lommel (Belgjikë), Troyes, (Francë), Sichuan Jiuniu (Kinë), Mumbai City (Indi), Girona (Spanjë), Montevideo City Torque (Uruguaj), Yokohama Marinos (Japoni), New York City (SHBA) dhe Melbourne City (Australi).
Por, çfarë duhet të presin tifozët e klubeve që kalojnë në pronësi të multimiliarderëve arabë të udhëhequr nga Mansur? Blerje kartonësh të lojtarëve me shifra të çmendura?
Historia tregon që nuk është ashtu. Më shumë janë një strehe vendparkingu për t'i zhvilluar dhe formësuar lojtarët e rinj, në formë huazimi shpeshherë sesa që kemi të bëjmë me një objektiv ku klubet në fjalë do të instalonin dominim me tituj të fituar në kampionatet respektive.
Ambiciet kryesore janë zhvllimi i akademive të klubeve, investimi tek lojtarët e rinj dhe sigurimi që lojtarët që janë në mungesë të minutazhit dhe përvojës, t'u sigurohen ekipet e duhura për t'i huazuar.