Shaqiri: S’po mund të pres të luaj ndaj Kosovës, nëse shënoj nuk do të festoj
Ylli i Zvicrës, Xherdan Shaqiri ka pranuar që do provojë të shënojë ndaj Kosovës, por në rast që e bën nuk do festojë.
Pas fitores ndaj Burkina Faso, Kombëtarja e Kosovës është mysafir i Zvicrës të martën e ardhshme në Cyrih.
Shaqiri ka qenë i ftuar në “Sporti Total”, ku ka folur para ndeshjes me Kosovën, ku thotë se është duke e pritur me padurim.
"Kjo ndeshje, njëherë është miqësore, dy shtete që janë miq që luajnë kundër njëri-tjetrit, është emocionale për shumë lojtarë. Ka me qenë me shumë shikues dhe s'po mundem ta pres këtë ndeshje që të luaj ndaj Kosovës".
Shaqiri, tutje thekson se e do shumë Kosovën, aty ku ka familjarë dhe shok, ndërsa beson që 50 për qind i stadiumit do të jetë nga shqiptarët, derisa 50 për qindëshi tjetër me zviceran.
"Për mua ka me qenë shumë emocionale, normalisht që unë shumë e dua Kosovën. Kam lindur në Kosovë, e kam lidhjen edhe me të afërt se kam familjarë e shokë në Kosovë e shkoj shpesh, e dua Kosovën me zemër si Zvicrën. Në fund është miqësore që duam me fitu normalisht. Nuk po mundem ta pres që të luaj në Zvicër kundër Kosovës, stadiumi ka me qenë plotë. Unë besoj që 50 për qind shqiptarë, 50 për qind zviceran.
Në fund, ish ylli i Liverpoolit pranon se do mundohet të shënojë ndaj Kosovës, por në rast që e bën nuk do e festojë shkaku i respektit.
"Unë gjithmonë kam respekt për Kosovë e Shqipëri, por sport është sporti dhe unë do jap 100 për qind për Zvicrën, si ta kem shansin do të shënojë, por nuk festoj, shkaku i respektit", deklaroi ai.
Përpos Shaqirit, edhe mesfushori tjetër nga Kosova, Granit Xhaka ka konfirmuar se në këtë ndeshje do bëjë më të mirën që të fitojë.
“Do ta shijoj ndeshjen, në fakt i njoh të gjithë kundërshtarët [Lojtarët e Kosovës]. Natyrisht se do të jap gjithçka për ta fituar edhe këtë ndeshje”.
Ndërkohë, kujtojmë, se ndeshja zhvillohet në stadiumin “Letzigrund” dhe do nis me fillim nga ora 18:00.