KATAR 2022| Scaloni: Shpresojmë që Messi do ta ngrejë trofeun lart – e meriton plotësisht - NACIONALE

KATAR 2022| Scaloni: Shpresojmë që Messi do ta ngrejë trofeun lart – e meriton plotësisht

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Përzgjedhësi i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka folur në konferencë për shtyp një ditë para finales të Kupës së Botës kundër Francës. Ai komentoi Lionel Messin dhe gjendjen e ekipit të tij.

Për Argjentinën nesër është një ditë e madhe, pasi pas tetë vitesh ia del të paraqitet në një finale të Kupës së Botës. “Seleccion” do të përpiqet që ndryshe nga finalja e vitit 2014 që e humbi kundër Gjermanisë me rezultat 1:0, kësaj radhe ta fitojë atë.

Tërë reflektorët kanë rënë te Lionel Messi, pasi ylli argjentinas ka kumtuar që muaj më parë se ky do të jetë Botërori i tij i fundit dhe me ç’rast edhe shpresa e fundit për ta ngritur lart trofeun në fjalë.

Përzgjedhësit Scaloni iu parashtruan disa pyetje për 35-vjeçarin. Ai kundërshtoi epitetin që po i jepet kësaj sfide, duke u koncentruar vetëm te duelizmi Mbappe – Messi.

“Ndeshja e nesërme para se të konsiderohet Mbappe kundër Messit, është Argjentina kundër Francës”, sqaroi.

Ai uron që të arrijnë që të ngadhënjejnë në finale edhe për hir të Messit: “Shpresojmë ta fitojmë këtë finale. Nëse ndeshja e nesërme është e fundit për Messin në Kupën e Botës, uroj që ta ngrejë trofeun lart. Ai e meriton, ashtu siç e meritojnë të gjithë argjentinasit.”

Komentet për Mbappe dhe për gjendjen fizike të ekipit

Përzgjedhësi Scaloni ka folur edhe rreth yllit kryesor të ekipit francez, që njëherësh është edhe bashkëlojtar i Messit te PSG.

"Franca nuk është vetëm Mbappe. Ata kanë disa lojtarë që janë të rrezikshëm. Kylian është vërtet i ri dhe mund të përmirësohet akoma si futbollist", deklaroi ai.

Në përgjithësi, ai u shpreh se po e përjeton me emocione të veçanta vigjiljen e ndeshjes të nesërme, duke mos harruar që t’i lusë të gjithë që mos të harrohet rrugëtimi që ka bërë Argjentina deri këtu, pavarësisht epilogut që do ta sjellë sfida ndaj Francës.

"Jam vërtet entuziast. Këto janë njërat prej momenteve për t'u jetuar. Anipse jemi në prag të një finale, i rëndësishëm është rrugëtimi", tha ai.

Sa i përket formacionit bazë se si do ta konceptojë, duket se përzgjedhësi argjentinas tani vetëm se e ka ndarë mendjen. Ai e ka të qartë se çfarë dëshiron nga një ndeshje e tillë që vlen gjithçka.

“Që tani kam vendosur se si do të futemi në fushë kundër Francës. Mbetet edhe një seancë stërvitore për ta bërë dhe pastaj do ta dimë më mirë se si do të luajmë ndaj tyre. Idea është që t’i kërcënojmë dhe të vuajmë sa më pak që është e mundur nga sulmet e tyre”, përfundoi ai.

Në detyrën e përzgjedhësit të Argjentinësit ai është që prej vitit 2018. Suksesin më të madh deri tani e ka aritur në vitin e kaluar, kur ia doli që ta udhëheqë “Seleccion” në triumfin e Kupës së Amerikës.

Në finale Argjentina mposhti Brazilin me rezultat 1:0, thënë ndryshe rivalin e saj të përbetuar, që për më tepër ishte edhe mikpritës i ngjarjes në fjalë.

Kështu, Scaloni shpreson që një tjetër sukses të madh ta përsërisë edhe pas një viti, duke triumfuar në Kupën e Botës

Lajme të ngjashme