Sassuolo ia shkakton humbjen e parë të sezonit Juventusit në dramën e gjashtë golave - NACIONALE

Sassuolo ia shkakton humbjen e parë të sezonit Juventusit në dramën e gjashtë golave

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sassuolo e ka mposhtur Juventusin me rezultat 4:2 në Mapei Stadium, kështu duke ua shkaktuar atyre vetëm humbjen e parë në sezonin 2023/24.

Edhe pse vendasit nuk ishin në formën më të mirë të mundshme deri më tani, ata në ndeshjen e sotme ishin dominues, duke krijuar shumë raste të mira shënimi, me zonjën e vjetër që në 90 minuta në një rast të vetëm të krijuar shënuan, ndërsa goli tjetër ishte autogol.

Armand Lauriente e kaloi Sassuolon në epërsi në minutën e 13-të, kur goditja e tij e fortë nga distanca i rrëshqiti nga duart portierit të Juventusit Wojciech Szczesnyt, për rezultatin 1:0.

Tetë minuta më vonë, Juventusi u kthye në lojë, kur Matias Vina shënoi në golin e tij aksidentalisht, me rezultatin që u barazua në 1:1.

Domenico Berardi shënoi një gol shumë të bukur nga distanca në minutën e 41-të, për të kthyer epërsinë e skuadrës vendase 2:1, rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë e takimit.

Në pjesën e dytë, Zonja e Vjetër, arriti të barazonte sërish. Kësaj radhe shënoi Federico Chiesa në minutën e 78-të për 2:2.

Por ish-futbollisti i Interit, Andrea Pinamonti, katër minuta më vonë shënoi, për të kthyer festën në Mapei, për rezultatin 3:2.

Për rezultatin përfundimtar u kujdes Federico Gatti, me një nga autogolat më të bukur kohët e fundit, për 4:2.

Në pesë xhiro të zhvilluara, Juventusi ka 10 pikë dhe gjendet në vendin e pestë, ndërsa Sassuolo në pozitën e 11-të me gjashtë pikë.

Lajme të ngjashme