Saga Mbappe drejt fundit: Para Evropianit do ta tregoj të ardhmen
Saga savjeçare e sulmuesit Kylian Mbappe duket se po shkon drejt fundit, pasi ka deklaruar se do ta njoftojë publikun para se të nis Kampionati Evropian “Euro 2024”.
Francezi zhvilloi një paraqitje të zbehët ndaj Gjermanisë, ndërsa pas ndeshjes deklaroi se askush brenda klubit të PSG-së s’e pyet më për të ardhmen.
“Para Kampionatit Evropian njerëzit do ta dinë. Jam shumë i qetë për këtë situatë”.
“E ardhmja ime nuk është më në qendër te klubi, askush s’më pyet më. Kështu do të luaj në Evropian me kokën e qetë”, deklaroi ai.
Mbappe duket se do ta realizojë ëndrrën dhe t’i bashkohet Real Madridit, klub që e kërkon që disa vite.
Gazetari Fabrizio Romano ditë më parë ka njoftuar se Reali dhe Mbappe kanë arritur marrëveshje për pagë dhe është duke munguar thjesht marrëveshja për të drejtat e imazhit.
Mbappe do të bëhet lojtari më i paguar te skuadra madrilene pranë Vinicius Junior e Jude Bellingham, por do të marrë shumë më pak se ajo që fiton te PSG-ja aktualisht, meqenëse është lojtari më i paguar në Evropë me pagë 6 milionë euro për muaj.