Sadio Mane zgjidhet lojtari më i mirë afrikan për herë të dytë radhazi - NACIONALE

Sadio Mane zgjidhet lojtari më i mirë afrikan për herë të dytë radhazi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi i Senegalit, Sadio Mane, është zgjedhur Futbollisti Afrikan i Vitit për herë të dytë radhazi, gjatë një ceremonie të Konfederatës së Futbollit Afrikan të enjten në kryeqytetin e Marokut, Rabat.

Mane e shënoi penalltinë e triumfit të Senegalit kundër Egjiptit në finale të Kupës së Kombeve të Afrikës këtë vit, duke i ndihmuar atdheut të vet ta fitojë këtë trofe për herë të parë.

Ky çmim u nda për herë të parë pas tri viteve pezullimi për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Jam shumë, shumë i lumtur që e fitova këtë trofe këtë vit”, tha Mane gjatë pranimit të çmimit, që nga ky sezon do të luajë për Bayern Munich.

Mane e mposhti bashkatdhetarin e vet, portierin e Chelseat Edouard Mendy, si dhe ish-bashkëlojtarin e vet te Liverpooli, Mohamed Salah, për ta fituar çmimin e lojtarit më të mirë afrikan.

“E falënderoj popullin senegalez dhe këtë trofe ia kushtoj të rinjve në vendin tim”, tha Mane, i cili i ndihmoi Senegalit të shkojë edhe në Kupën e Botës 2022 dhe Liverpoolit t’i fitojë dy trofe në Angli.

Kjo ceremoni u mbizotërua nga Senegali, pjesëtarët e të cilit fituan në pesë prej shtatë kategorive për ta bërë këtë një natë të paharrueshme për kombin e Afrikës Perëndimore.

Trajneri i Senegalit Aliou Cisse e fitoi çmimin për trajnerin më të mirë të vitit, ndërsa Senegali u zgjodh ekipi i vitit.

Pep Sarr, po ashtu i Senegalit, u zgjodh lojtar i ri i vitit, ndërsa një senegalez tjetër, Pape Ousmane Sakho, e fitoi çmimin për golin më të mirë të vitit.

“Ne kemi pritur një kohë shumë të gjatë për këtë Kupë të Kombeve. Ne jemi shembull i mirë për të gjitha ato ekipe që ende nuk e kanë fituar (këtë turne)”, tha presidenti i Federatës së Futbollit të Senegalit, Augustin Senghor.

Lajme të ngjashme