Rumania mbetet pa trajner para ndeshjes me Kosovën, Iordanescu jep dorëheqje
Pasi kualifikoi Rumaninë në “Euro 2024”, trajneri Edi Iordanescu ka vendosur të largohet nga pozita e përzgjedhësit të Rumanisë.
Kontrata e Iordanescut me Federatën Rumune do të skadojë më 30 korrik, mirëpo bashkëpunimi nuk do të vazhdojë.
“Edward Iordanescu, kontrata e të cilit skadon në fundin e korrikut nuk do të vazhdojë në stolin e kombëtares së Rumanisë. Duke u punësuar në fillimin e 2022, Iordanescu mori drejtimin e kombëtares në një moment të rëndësishëm, duke sjell vizion të ri dhe vlerësim modern në përgatitjen e skuadrës”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Kësisoj, Rumania do të ketë pak më shumë se një muaj para se ta zhvillojë përballjen e parë në Ligën e Kombeve, kundër Kosovës më saktësisht në “Fadil Vokrri”.
Kosova do të jetë nikoqire e Rumanisë, sfidë që do të zhvillohet më 6 shtator 2024, me fillim nga ora 20:45.