"Rrena, rrena" - Kampi i Leo Messit me reagim të ashpër ndaj thashethemeve për të ardhmen e tij
Përfaqësuesit e Lionel Messit kanë reaguar ashpër ndaj, siç i quajtën ata, gënjeshtrave të vazhdueshme, për të ardhmen e tij, në një kohë kur sulmuesi argjentinas është në bisedime me Paris Saint-Germainin për vazhdimin e marrëveshjes.
Kontrata e tanishme e Messit me PSG-në mbaron pas më pak se tre muajve dhe deri tani nuk ka pasur ndonjë lajm se ai do ta vazhdojë atë.
Kjo ka nxitur thashetheme për të ardhmen e tij.
Megjithatë, përfaqësuesit e sulmuesit 35-vjeçar i kanë kritikuar ata të cilët po supozojnë se ai do të largohet nga Parisi.
Ata thanë për gazetën franceze Le Parisien se bisedimet me PSG-në janë duke vazhduar.
“Është e çuditshme të shohësh lajme se klubi dëshiron t’ia ulë pagën Leos, apo se nuk dëshiron t’ia zgjasë kontratën. Ne nuk duam ta luajmë këtë lojë të vogël”, thanë përfaqësuesit e 35-vjeçarit për Le Parisien.

“Këto lloj lajmesh të rreme nuk i bëjnë mirë Leos e as marrëdhënieve të tij me klubin. Por, mbase kjo është pikërisht ajo të cilën po e dëshirojnë disa njerëz”.
“Ne nuk duam të lëshojmë komunikatë publike, por jo vetëm që është se qartë se Leo dhe klubi po bisedojnë, por klubi dëshiron që Leo të qëndrojë, siç ka thënë (Christophe Galtier) së fundmi. Prandaj është e çuditshme të shohësh dike duke dhënë informata tjera në publik. Çfarë interesi kanë për të gënjyer? Do të ishte mirë t’i pyesnit ata të cilët po i bëjnë këto”, shtuan ata.
Messin e duan gjithandej, nga Evropa në Arabinë Saudite e në Amerikë.
Së fundmi, Al-Hilal, klubi saudit, i ka bërë ofertë marramendëse Messit prej 400 milionë eurove në vit, pra një pagë vjetore dyfish sa e Cristiano Ronaldos te klubi rival Al-Nassr.
Por për Messin thuhet se është i tunduar të kthehet në klubin ku e kaloi gjithë karrierën e bujshme, Barcelonë, ndërkohë që atë e duan edhe në MLS të SHBA-së.
Thuhet se Messi nuk e ka pranuar deri tani ofertën e re të PSG-së sepse dëshiron t’i shohë garancitë sportive së pari. Synimi i Leos është të mbetet në Evropë dhe të luftojë për Ligën e Kampionëve, prandaj për të është e rëndësishme të dijë nëse gjiganti francez do të jetë në gjendje ta krijojë një ekip që mund të luftojë për trofeun më të çmueshëm evropian për klube.
Messi s’e ka fituar Ligën e Kampionëve që prej vitit 2015, kur e fitoi për herë të katërt dhe të fundit me Barcelonën.

