Ronaldo: Mund të nënshkruaja për Barcelonën, kam raporte të mira me Leo Messin
Sulmuesi Cristiano Ronaldo ka pranuar se mund të nënshkruante për Barcelonën në kohën kur ishte te Sporting Lisbon, derisa shtoi se ka raporte të shkëlqyera edhe me rivalin e përbetuar Lionel Messi.
Portugezi ka dhënë një intervistë të gjatë për “El Chiringuito”, ku ndër të tjera u pyet edhe për Barcelonën.
Ronaldo e pranoi se kishte ofertë nga Barcelona gjatë periudhës kur ishte te skuadra portugeze, mirëpo e refuzoi.
“Mund të nënshkruaja për Barcelonën kur isha duke luajtur për Sporting Lisbon. Isha me dikë të klubit dhe donin të më transferonin, por nuk ndodhi”.
“Donin që të më transferonin atë vit, pastaj t’iu bashkohem një vit më vonë. Por, Manchester Unitedi më kërkoi më shumë”.
“Camp Nou? Më ka pëlqyer të luaj në Camp Nou. Më fishkëllyen, më ofendonin dhe kjo më pëlqente”.
Ndërkohë, Ronaldo u pyet edhe lidhur me rivalin Lionel Messi, për të cilin shtoi se ka raporte të mirë.
“Kam lidhje të mirë me Leo Messin. Më kujtohet se në një ceremoni edhe pata përkthyer në gjuhën angleze për të”.
“Ishte qesharake. Ishte rivalitet i shëndetshëm, shkojmë mirë bashkë”, nënvizoi Ronaldo.
Ndërkohë, Ronaldo po vazhdon shkëlqimin te Al Nassr derisa kërkon ta fitojë Kupën e Botës 2026 me kombëtaren e Portugalisë.