Ronaldo: Kurrë s’do të heq dorë nga ëndrra me Portugalinë
Cristiano Ronaldo do ta shkruajë historinë kur do ta bëjë paraqitjen e 200-të me Portugalinë, por ai thotë se nuk do të heqë dorë asnjëherë nga ëndrra me ekipin kombëtar.
Sulmuesi 38-vjeçar, i cili luan për klubin saudit Al Nassr, do të bëhet lojtari i parë që arrin 200 paraqitje me ekip kombëtar në historinë e futbollit, në përballjen e Portugalisë me Islandën në kualifikime për Euro 2024 sot në mbrëmje.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë ka arritur pothuajse gjithçka në nivelin më të lartë, duke i rishkruar librat e historinë vazhdimisht, por ai mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj kauzës portugeze dhe ngul këmbë se kurrë nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për të luajtur për atdheun.
“Do të qëndroj këtu derisa unë, presidenti i federatës së futbollit dhe trajneri besojmë se mundem. Kurrë nuk do të heq dorë nga ardhja këtu, sepse gjithmonë është ëndërr. Përfaqësimi i ekipit kombëtar është kulmi i karrierës. Dua të vazhdoj të luaj, t’i bëj të lumtur familjen, miqtë dhe portugezët”, tha Ronaldo.
“A shpresoj të bëj më shumë? Natyrisht, prandaj edhe jam këtu. Mendoj se ende po luaj mirë, po ndihmoj, po shënoj gola dhe po bëj paraqitje të mira.”
Ai shtoi: “Derisa jam i motivuar dhe njerëzit përreth e pëlqejnë praninë dhe lidershipin tim, unë nuk do të heq dorë nga ekipi kombëtar në asnjë mënyrë”.
Ronaldo i ndihmoi Portugalisë ta fitojë Kampionatin Evropian më 2016 dhe do të jetë pjesë e kombëtares edhe në Evropianin e verës së ardhshme në Gjermani.
