Ronaldo iu drejtohet bashkëlojtarëve: Të luftojmë deri në frymën e fundit
Cristiano Ronaldo iu ka bërë thirrje bashkëlojtarëve të vet në Manchester United të luftojnë deri në frymën e fundit, i bindur se mund t’ia dalin ta mbyllin sezonin në top katërshe në Premierligë.
Verën e kaluar Ronaldo u kthye në Old Trafford, 13 vjet pasi ishte larguar për t’iu bashkuar Real Madridin, pasi Unitedi i pagoi mbi 20 milionë euro për ta marrë atë nga Juventusi.
Sulmuesi 37-vjeçari ka qenë burimi kryesor i golave për djajtë e kuq këtë sezon, por nuk ka qenë në gjendje t’i frymëzojë ata drejt fitimit të ndonjë titulli dhe kualifikimi në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm duket se po i rrëshqet nga dora.
Skuadra e Ralf Rangnick është në vendin e shtatë në tabelën e Premierligës më 51 pikë, tri pikë larg vendit të katërt Tottenham, kur kanë mbetur edhe tetë ndeshje deri në përfundim të sezonit.
Unitedi, megjithatë, nuk merr pjesë më në asnjë garë tjetër dhe kjo nënkupton se ai mund të përqendrohet plotësisht në sigurimin e pjesëmarrjes në Ligën e Kampionëve.
Ronaldo është optimist për mundësitë e Unitedit për ta arritur këtë.
Pasi u shpall lojtari i Muajit Mars nga klubi i vet, sulmuesi portugez shkroi në Instagram: “Arritjet individuale janë gjithmonë të mirëseardhura, por ato vlejnë më shumë kur lidhen me fitoret kolektive. Ende kemi shumë gjëra për të cilat mund të luftojmë deri në fund të sezonit dhe ne nuk guxojmë asnjëherë të heqim dorë nga synimet që janë të mundshme dhe ta arritshme”.
“Faleminderit të gjithëve që votuan për çmimet goli i muajit dhe lojtari i muajit. Të luftojmë deri në frymën e fundit! Forca djajtë!”
Ronaldo, i cili nënshkroi marrëveshje dyvjeçare me mundësi për edhe një vit tjetër kur u kthye në United, i ka zhvilluar 33 ndeshje në të gjitha garat këtë sezon.
Ai i ka shënuar 18 gola, përfshirë një het-trik mahnitës kundër Tottenhamit në ndeshjen e fundit dhe i ka edhe tri asiste.
