Romario përmend dy lojtarë më të mirë se ai, injoron Ronaldon dhe Messin
Legjenda braziliane Romario thotë se vetëm Pele dhe legjenda argjentinase Diego Maradona kanë qenë më të mirë se ai.
Në një intervistë së fundmi, atij i është kërkuar të zgjedhë mes vetës së tij dhe plot emrave të mëdhenj që kanë dhënë shumë për futbollin në epoka të ndryshme.
Sidoqoftë, nga një numër i madh i emrave ai përmendi vetëm Pelen dhe Maradonen si lojtarët e vetëm më të mirë se ai.
Braziliani e vlerësoi si të barabartë nivelin me emra si Fenomeni, Ronaldinho, Messi, Cristiano Ronaldo, ndërsa shtoi se ka qenë më i mirë se Neymar, Adriano, Luis Suarez, Rivaldo, Haaland, Mbappe dhe Zico.
Romario karrierën e tij e mbylli në vitin 2010, mirëpo mbahet mend më së shumti për atë që tregoi sa ishte pjesë e PSV-së (128 gola në 148 ndeshje), si dhe te Barcelona (39 gola në 65 ndeshje).
Ai është një ndër golashënuesit më të mirë në historinë e Brazilit me 55 gola në 71 paraqitje, derisa ka luajtur edhe për klube si Valencia, Vasco de Gama, Fluminese, Miami FC dhe Adelaide United.