Roman Empire - NACIONALE

Roman Empire

4 vjet më parë

nga NACIONALE

"Roman Empire" nuk i referohet Perandorisë Romake. Në këtë rast, i referohet një individi, që s'ka lidhje me "Romaken", por ka lidhje me "Perandorinë". Sërish, nuk bëhet fjalë për perandori që ka ekzistuar në kohën e shteteve skllavopronare, por për një perandori të ndërtuar në futboll.

Rrallë ndodh në futboll, që një pronar të jetë po aq i njohur e po aq i dashur sa vetë klubi. Gjithashtu, rrallë ndodh që historia e një klubi të asociohet aq shumë me historinë e pronarit të saj. "Rrallë" është ndoshta shprehja e duhur për ta përshkruar Roman Abramovich, njeriun që e shndërroi Chelsean në një superfuqi botërore në futboll, pak a shumë sikur shteti i tij, Rusia, që është superfuqi ushtarake. Por, ndonëse lidhja e tij me superfuqitë është e gjatë, duket se asaj po i vjen fundi: nëse jo me Rusinë, e cila duket se e ka lëkundur epitetin e saj si superfuqi ushtarake, me Chelsean s'ka rrugëdalje tjetër. Ka ditë që është konfirmuar largimi i Abramovich nga klubi, të cilin e bleu në vitin 2003 për 140 milionë. Që nga ai moment, Abramovich ka shpenzuar plot 2,1 miliardë në merkato, ku Chelsea ka transferuar yje të ndryshme të futbollit.

Kush është Abramovich?

Një ndër njerëzit më të pasur në botë, Abramovich, është një miliarder me preardhje hebreje, që ka lindur në vitin 1966, në Saratov. Në moshën 1-vjeçare i ka vdekur nëna, kurse në moshën 4-vjeçare i ati. Pra, ai ka mbetur jetim në fëmijërinë e hershme dhe për të është kujdesur ungji (xhaxhai). Që në moshë të hershme, ai ka shfaqur aftësi në udhëheqësi dhe biznes.

Roman ka gjithsej shtatë fëmijë dhe është divorcuar plot tre herë, me ish-gratë e tij që kanë përfituar shuma marramendëse pas divorcit.



Madje, divorci me gruan e tretë të tij, Dasha Zhukova, vlerësohet nga shumë njerëz si më i madhi në histori të Mbretërisë së Bashkuar në kuptim të kostos financiare. Sidoqoftë, jeta familjare nuk është në interes të publikut, pasi ai ka shumë gjëra të tjera më interesante nga jeta e tij.

Lidhjet e tij me politikën

Në moshë të re, Abramovich kishte hapur kompaninë e tij të prodhimit të lodrave. Por, më pas, ai filloi të merret me naftë dhe në vitin 1995 bleu kompaninë e naftës, "Sibnet". Ai kishte krijuar lidhje me politikanë rusë dhe kishte arritur të afrohej me ish-Presidentin e Rusisë, Boris Yeltsin. Lidhjet e tij me njerëz të fuqishëm në politikë kishin ardhur edhe për shkak të sukseseve të Abramovich në politikë, pasi ai kishte hyrë në politikë në vitin 1999, kur ishte zgjedhur përfaqësues lokal i krahinës së Chukotkas. Deri atëherë, kryesisht Abramovich kishte qenë i panjohur për publikun, edhe pse kishte korrur suksese të mëdha dhe pasuria e tij ishte rritur ndjeshëm - por, e gjitha kjo jashtë syve të medias.

Emri i tij është përmendur në media për herë të parë në vitin 1998, kur edhe u raportua për lidhjet e tij me Yeltsin, duke pasur pretendime se Abramovich ia kishte financuar atij fushatën elektorale. Nga viti 2000 gjer më 2008 ai kishte udhëhequr me krahinën e Chukotkas, ku kishte investuar shumë para për ta përmirësuar mirëqenien e qytetarëve dhe kishte pasur sukses të madh. Madje, një revistë biznesi në Rusi e kishte shpallur atë si "Njeriu i Vitit" në 2003. Sidoqoftë, Abramovich dha dorëheqje nga politika në vitin 2008.

Abramovich kishte jetuar në një apartament brenda në Kremlin, me kërkesë të vetë Yeltsin, i cili i besonte Abramovichit dhe e vlerësonte shumë. Madje, thuhet se ishte pikërisht Abramovich ai që e propozoi Putinin si pasardhës të Yeltsin. Më 1999, ky i fundit e bëri ushtrues detyre në postin e kryeministrit Vladimir Putinin, i cili që nga ajo kohë ka qëndruar në majat e politikës ruse dhe ka krijuar lidhje të forta me Abramovich.



Madje, thuhet se Putin ia kishte besuar Abramovichit intervistimin e disa kandidatëve për poste në kabinetin e tij. Rusia është e njohur botërisht si një vend ku politikanët kanë lidhje të ngushta me oligarkët.

Në vitin 2019 u raportua se Abramovich ishte i përfshirë në një skandal të korrupsionit në Rusi dhe disa herë është thënë se ai ka përdorur pasurinë e tij për të ndihmuar Putinin në forma të ndryshme. Por, edhe ky i fundit duket se i ka dhënë tenderë Abramovichit. Ndërkohë, në vitin 2008, "The Times" kishte shkruar se Abramovich kishe paguar shuma marramendëse parash në këmbim të aksioneve e aseteve ruse të naftës dhe aluminit. Pasuria e tij vlerësohet të jetë diç më shumë se 13 miliardë dollarë amerikanë, por edhe ai është prekur nga sanksionet e vendosura nga shtete të ndryshme të botës si reagim ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Chelsea

Suksesi duket se e përcjell Abramovichin në çdo fushë. Njëra ndër to është futbolli, në të cilin Abramovich u prezantua në vitin 2003. Atëbotë, Chelsea ishte një klub që s'kishte emër në Europë, por tani është kampion i botës në fuqi. Negociatat për shitblerjen e Chelseat u zhvilluan në mënyrë sekrete dhe u finalizuan me blerjen nga Abramovich për 140 milionë £ (funta).



Ai, që në fillim kishte premtuar se Chelsea do të bëhet një ekip konkurrues dhe do të synojë majat. Kjo gjë i kishte entuziasmuar tifozët blu, të cilëve nuk iu desh të prisnin shumë për ta parë një gjë të tillë në realitet. Kjo për faktin se Chelsea u shpall kampion i Anglisë në sezonin 2004/05 dhe deri më sot numëron plot pesë kampionate të fituara nën drejtimin e Abramovich. Para tij, Chelsea ishte shpallur kampion vetëm një herë dhe atë në vitin e largët 1955. Në kohën e Abramovich, Chelsea është shndërruar në njërin prej klubeve më të mira angleze, duke fituar edhe pesë FA Cup, tre League Cup dhe dy Community Shield.



Dominimi i Chelseat u shtri edhe në rrafsh kontinental dhe madje botëror, duke fituar së fundmi Kampionatin Botëror të Klubeve në 2021. Në po atë vit Chelsea fitoi UEFA Champions League, të cilën e ka fituar edhe në vitin 2012. Veç kësaj, Chelsea numëron edhe dy tituj të UEFA Europa League dhe 2 të UEFA Supercup (njërin para kohës së Abramovich). Pra, në kohën e Abramovich, Chelsea ka fituar gjithsej 21 kompeticione në futboll.

Jo i pëlqyer nga njerëzit e rëndomtë, i dashur nga tifozët e Chelseat

Veprimet e ashpra të Rusisë ndaj Ukrainës kanë ndikuar edhe në popullaritetin e Abramovich, i cili është kritikuar nga shumë njerëz anembanë botës dhe është kthyer në një person të neveritshëm, për shkak të lidhjeve të tij me Putin. Por, tifozët e Chelseat kanë përshtypje krejt tjera për të: gjithandej në botë, sidomos përmes rrjeteve sociale, tifozët kanë përkrahur fuqishëm Abramovich dhe në Londër kanë dalë në rrugë, në mbështetje të tij. Madje, edhe në kohën kur ai është goditur me sanksione nga Mbretëria e Bashkuar, tifozët kanë brohoritur emrin e tij në stadium së fundmi dhe kjo ka nxitur reagimin e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, nga e cila i është kërkuar tifozëve të mos e bëjnë një gjë të tillë.

Por, një përkrahje të madhe Abramovich e gëzon edhe në Kosovë, në mesin e tifozëve të Chelseat. Këta të fundit nuk e kanë kursyer përkrahjen, edhe pse kanë dënuar sulmet ruse në Ukrainë. Fakti që Abramovich vjen nga Rusia, një shtet që s'ka marrëdhënie të mira me Kosovën, nuk ka ndikuar në simpatinë e kosovarëve për rusin.



Nga tifogrupi zyrtar i Chelseat në Kosovë kanë thënë se Abramovich është pronari më i mirë në histori të klubit dhe ai gëzon respekt maksimal. Madje, në kohën e tij, tifozët kosovarë u pranuan zyrtarisht në familjen e tifozërisë blu nën emrin "Chelsea Fan Club Kosova" me të drejta të plota si shtet i barabartë me të tjerët. Këtë gjë e ka bërë të ditur njëri ndër themeluesit e këtij tifogrupi, Kristian Karaqi, i cili ka shtuar se ata "distancohen nga çdo lidhje e dyshimtë e Abramovich me Moskën dhe me të kanë vetëm lidhje sportive, duke mos e përfshirë asnjëherë politikën".

Titulli i këtij teksti mund të keqkuptohet si ndonjë shkrim në fushën e historisë. Por, s'është i tillë. Ndoshta edhe është, sepse Abramovich është histori në vete...




Lajme të ngjashme