Roma e vendos në shitje Tammy Abrahamin
Roma është e hapur të dëgjojë oferta për sulmuesin Tammy Abraham vetëm dy vite pas arritjes së tij nga Chelsea.
Anglezi ishte i mrekullueshëm në edicionin e parë te skuadra italiane duke shënuar 27 gola në 53 paraqitje dhe fituar vëmendjen e disa gjigantëve evropianë përfshirë Manchester Unitedin.
Sidoqoftë, këtë edicion Abraham ka shënuar vetëm nëntë gola që ka ndikuar të mos jetë i paprekshëm më te Roma. Skuadra e Jose Mourinhos thuhet se po dëshiron ta shesë për 39.5 milionë funte, duke qenë se e bleu për 35 milionë funte në vitin 2021.
"E di qe nuk kam qenë siç duhet, duke luajtur në mënyrën më të mirë, por jam njeri në fundin e ditës".
"Kam pasur pak besim së fundmi, por tifozët vazhdojnë të më tregojnë se janë me mua dhe do të luftoj që ta ndihmoj skuadrën deri në fund", kishte deklaruar ai në nëntor, por forma e tij prapëseprapë nuk doli të jetë më e mira.
Mediumi italian "Calciomercato" vazhdon të raportojë se klubet si Man United, Tottenham dhe PSG ende kanë shprehur interesim për anglezin.
Man Unitedi vazhdon të jetë prioriteti kryesor pasi Abraham ëndërron një rikthim në Premierligë dhe skuadra e Ten Hag ka nevojë për një qendërsulmues pasi holandezi nuk i beson më Anthony Martialit.
20 herë kampioni i Anglisë vazhdon ta ndjek edhe Victor Osimhenin por meqenëse nigeriani është më i shtrenjtë, Abraham bëhet një opsion më efektiv.
Chelsea gjithashtu ka klauzolë riblerje nëse duan ta aktivizojnë në verë për 70.3 milionë euro.