Roma e Mourinhos triumfon edhe ndaj Cremonese - NACIONALE

Roma e Mourinhos triumfon edhe ndaj Cremonese

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Roma ka fituar ndeshjen e dytë radhazi në Seria A, këtë herë duke mposhtur në shtëpi Cremonese.

Pavarësisht që mund të shënonin shumë gola pasi dominuan në çdo aspekt për plotë 90 minuta, Roma nën urdhrat e Jose Mourinhos triumfoi vetëm me rezultat minimal 1:0.

Pas vetëm tre minutave lojë, Lorenzo Pellegrini kishte një rast të artë nga afërsia, por që Radu me një pritje brilante i mohoi golin.

Roma vazhdoi me sulmet e njëpasnjëshme duke rrezikuar përmes Leonardo Spinazzola që nuk e dërgoi në rrjetë një gjuajtje vollej nga afërsia.

Mysafirët pastaj provuan përmes Cyriel Dessers që kishte një rast të mirë, mirëpo edhe kjo ishte e pasuksesshme.

Kështu, duke mos pasur konkretizime gjatë këtyre 45 minutave, dy skuadrat italiane shkuan në pushime me rezultat të barabartë 0:0.

Në pjesën e dytë, mysafirët e nisën më mirë me Dessers që goditi traversën me një gjuajtje fantastike nga distanca, që fatkeqësisht për të nuk përfundoi në rrjetë.

Ishte qendërmbrojtësi Chris Smalling që arriti të zhbllokojë rezultatin, duke shënuar një gol të bukur me kokë pas një harkimi të shkëlqyeshëm të Pellegrinit (65').

Më pas mori vëmendje veprimi i Smalling, që ngriti fanellën e Gini Wijnaldum për ta mbështetur, pasi siç dihet holandezi së fundmi ka pësuar lëndim dhe do të jetë jashtë fushës për se paku tre muajt e ardhshëm.

Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Marash Kumbulla në këtë sfidë nuk kishte asnjë minutë me Mourinhon që vazhdon t'ia besojë treshes Ibanez, Smalling dhe Mancini "zemrën e mbrojtjes".

Kështu, për Romën këtë edicion kjo është fitorja e dytë radhazi, njëkohësisht prapë me rezultat minimal 1:0, derisa ngritën në pozitën e tretë në tabelë me gjashtë pikë. Kurse, Cremonese renditet në pozitën e 18-të në tabelë pa pikë.

Në xhiron e radhës, Roma do ta zhvillojë super derbin si mysafir i Juventusit, derisa Cremonese do ta mirëpres Torinon e Mërgim Vojvodës.

Lajme të ngjashme