Rodrygo e pranon se lojtarët e Real Madridit po presin Kylian Mbappen
Sulmuesi Rodrygo Goes e ka pranuar se yjet e Real Madridit po presin që Kylian Mbappe t’iu bashkohet qysh sezonin tjetër.
Braziliani ishte fantastik në fitoren e fundit ndaj Athletic Bilbaos, duke shënuar dy gola.
Megjithatë, pas ndeshjes Rodrygo është pyetur sërish rreth Mbappes dhe ai la të kuptohet se të gjithë lojtarët po e presin afrimin e francezit.
“Jemi shumë (që po e presim). Besoj se Mbappe është afër shkaku i asaj që po thoni. Unë i besoj gazetarëve, por nuk e di se çfarë do të ndodhë”.
“Do të shohim se çfarë trajneri do të vendos. Nuk mendoj për asgjë, vetëm që të jem i fokusuar në këtë sezon, ta përfundojmë mirë dhe me sa më shumë tituj që të është e mundur”.
“Jam gjithnjë i qetë, të gjithë në skuadër më ndihmojnë. Jam i qetë sepse e di që do të shënoj sërish dhe dua ta bëj kur skuadra ka nevojë. Tani është kohë e vështirë, me ndeshjen me Cityn që po afron dhe dua të bëj mirë”, deklaroi ai.
Ndërkohë, negociatat mes Realit dhe Mbappes thuhet se janë shumë të avancuara, ku peng ka mbetur vetëm marrëveshja për të drejtat e imazhit.
Përndryshe, Reali përballet me Cityn më 9 prill në “Santiago Bernabeu”, derisa Mbappe me PSG-në takohet me Barcelonën.