Rodri përmend lojtarin që do ta transferonte te Man City
Mesfushori i Manchester Cityt Rodri e ka këshilluar klubin anglez të nënshkruajë me yllin e Athletic Bilbaos Nico Williams.
Williams mahniti të gjithë me Spanjën në “Euro 2024” mirëpo befasoi duke qëndruar te Bilbao, pavarësisht që kërkohej me ngulm nga Barcelona.
Rodri që po shërohet nga këputja e ligamentit që pësoi e ka këshilluar Cityn të përfitojë nga situata dhe ta transferojë lojtarin.
“Momentalisht, do ta merrja atë. Te City padyshim, ai edhe do ta ndjente të ftohtin e Mançesterit, që është i ngjashëm me Bilbaon”.
“Është lojtar shumë i mirë”, deklaroi ai për “Diario AS”.
Barcelona së fundmi raportohet se është larguar nga gara për të nënshkruar me Williams, me katalunasit që janë të kënaqur me paraqitjet fantastike të Raphinhas.
Ndërkohë, mbetet të shihet nëse spanjolli mund të bëhet opsion për Cityn, skuadër kjo që pritet të jetë aktive në afatin e janarit shkaku i formës së dobët që po kalojnë.
Skuadra e Guardiolas s’di për fitore në gjashtë ndeshjet e fundit, ku kanë regjistruar pesë humbje dhe një barazim.