Rey Manajn e duan në Spanjë, Itali e Arabinë Saudite
Forma fantastike e sulmuesit shqiptar Rey Manaj ka ndikuar të ketë oferta të shumta, qoftë në Spanjë, Itali dhe Arabinë Saudite – këtë e ka konfirmuar trajneri i Sivassporit Bulent Uygun.
Ylli shqiptar ka realizuar 14 gola këtë edicion në 23 paraqitje në Superligën e Turqisë, derisa ka shënuar edhe katër tjera në Kupën e Turqisë.
E falë kësaj forme fantastike, ai po kërkohet me ngulm në shtetet si Spanja, Italia derisa ka oferta edhe nga Arabia Saudite.
“Ka skuadra që e duan atë (Rey Manajn). Ka interesim të madh nga Spanja, Italia dhe Arabia Saudite, por do të shohim në fundin e sezonit”.
“Manaj është shumë i lumtur këtu, është futbollist që i pëlqen të ketë publikun pranë vetës. Shqiptarët gjithmonë e kanë dëshirën për të luajtur dhe shënuar gola. Shpresoj që të jetë golashënuesi më i mirë në fundin e sezonit”, nënvizoi Uygun.
Ndërkohë, Manaj me këtë formë është duke i shkaktuar përzgjedhësit Sylvinho “dhembje koke”, meqenëse ekziston mundësia që ta ftojë në Kampionatin Evropian “Euro 2024”, pavarësisht që s’ka luajtur nën urdhrat e brazilianit në kualifikuese.
Mbetet të shihet nëse Manaj do të ftohet nga Sylvinho në miqësoret e muajit mars.