Reus jep dorëheqje si kapitenit i Dortmundit përmes një videoje tronditëse
Ylli i Borussia Dortmundit, Marco Reus, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga detyra e kapitenit të skuadrës pas pesë vjetëve si bartës i shiritit, përmes një videoje habitëse.
Sulmuesi gjerman ishte emëruar kapiten në klubin e Bundesligës para sezonit 2018/2019, dhe është njëri ndër veteranët e klubit pas 11 sezoneve të kaluara në të.
Kjo është një goditje e dyfishtë për klubin, i cili vetëm pak javë më parë i ndau rrugët me mesfushorin kryesor, Jude Bellingham, i cili iu bashkua Real Madridit për 103.5 milionë euro, edhe pse kjo shifër mund të rritet deri në 132.2 milionë euro varësisht prej përmbushjes së bonuseve.
Në një video të postuar nga Dortmundi, Reus njoftoi se nuk do të jetë më lideri i ekipit, duke iu uruar fat trajnerit Edin Terzic dhe drejtorit Sebastian Kehl, në gjetjen e pasuesit të tij.
“Përshëndetje të dashur tifozë të BVB. Është shumë e rëndësishme për mua t’ju tregoj diçka personalisht: Pata shumë kohë për të menduar gjatë pushimit dhe vendosa ta dorëzoj shiritin e kapitenit”, tha Reus.
“I njoftova Edin Terzicin dhe Sebastian Kehlin për këtë dje. M’u lejua ta bart këtë shirit për pesë vjet me krenari dhe nder. Faleminderit për përkrahjen tuaj gjatë viteve”, shtoi ai.
💬 Nachricht von MR11: pic.twitter.com/ybxUVkC44t
— Borussia Dortmund (@BVB) July 6, 2023
Reus po futet në sezonin e tij të 12-të në Dortmund, për të cilin i ka shënuar 161 gola dhe i ka dhënë 121 asiste në 387 paraqitje. Ai e vazhdoi në prill kontratën për edhe një vit tjetër.

