Relevo: Florentino Perezit po i humb durimi me Ancelottin
Presidenti i Real Madridit Florentino Perez nuk e ka pranuar assesi humbjen nga Barcelona, ndërsa është duke i humbur durimi me trajnerin Carlo Ancelotti.
Mediumi spanjoll “Relevo” raporton se Perezi është i zemëruar me ekipin e parë të Realit e sidomos me teknikun italian.
Në bazë të raportit, humbja 4:0 nga Barcelona për Perezin do të jetë një natë që nuk do ta harrojë kurrë, e si pasojë edhe pozita e Ancelottit më nuk është e paprekshme.
Real Madridi, më saktësisht Perez tashmë ka gjetur edhe pasuesin adekuat të Ancelottit, pra trajnerin e Bayer Leverkusenit Xabi Alonso, që mahniti të gjithë sezonin e kaluar duke e fituar titullin në Bundesliga si dhe Kupën e Gjermanisë pa pësuar asnjë humbje.
Perez do të vazhdojë ta mbështesë Ancelottin publikisht, mirëpo nëse situata nuk ndryshon brenda një kohe të shkurtër, atëherë nuk do të ishte ndonjë befasi nëse i tregohet “dera qysh në janar”.
Real Madridi aktualisht është gjashtë pikë prapa Barcelonës në La Liga, kurse rikthehet në “aksion” qysh në vikend për t’u përballur me Valencian në udhëtim.