Reali uron Cristiano Ronaldon për ditëlindjen e 40-të: Secili madrilen është krenar me arritjet e tua - NACIONALE

Reali uron Cristiano Ronaldon për ditëlindjen e 40-të: Secili madrilen është krenar me arritjet e tua

1 vit më parë

nga NACIONALE

Real Madridi e ka uruar sulmuesin Cristiano Ronaldo për ditëlindjen e 40-të, duke deklaruar se secili madrilen është krenar për arritjet e portugezit.

Portugezi vlerësohet si një nga më të mirët në histori, për të shënuar 450 gola në fanellën “Galaktike”, si dhe ndihmuar klubin spanjoll ta fitojë katër herë Ligën e Kampionëve.

E ndër urimet e shumta, s’kishte si të mungonte as një mesazh i Real Madridit.

“I dashur Cristiano, nga Real Madridi duam të të dhurojmë urimet më të përzemërta për ditëlindjen e 40-të. Secili madrilen është krenar i legjendës që je dhe se çfarë ke përfaqësuar në historinë tonë. Kalo një ditë të mirë me familjen dhe më të dashurit”, shkroi Reali në rrjetet sociale.

Ronaldo së fundmi dha një intervistë të gjatë, ku ndër të tjera për herë të parë tregoi se u largua nga Reali më 2018 pavarësisht që Florentino Perez donte t’ia rinovonte kontratën, me shpresën për një aventurë tjetër.

Kujtojmë, Ronaldo mbetet golashënuesi numër një në histori me 923 gola, ku synon të bëhet lojtari i parë që e arrin shifrën plot 1 mijë, si dhe dëshiron të merr pjesë në Kupën e Botës 2026, trofe që ende s’e ka fituar në karrierë.

Lajme të ngjashme