Real Madridi mposht Getafen dhe rimerr kreun, PSG ndalet nga Reims
Real Madridi ka shënuar fitoren e radhës në La Liga duke mposhtur Getafen në udhëtim me rezultat 0:1. Në ndeshjen tjetër që u luajt në Ligue 1, Reims i Arbër Zenelit ndali baras PSG.
Madrilenët kanë shënuar fitore të rëndësishme në kampionat, pasi mundën me rezultat të ngushtë si mysafirë Getafe.
Goli i hershëm i Militaos ishte ai që konfirmoi fitoren e skuadrës së Ancelottit. Në minutën e 3-të mesfushori magjik, Modric, ekzekutoi për mrekulli një këndore, ku Militao shënoi bukur me kokë për 0:1.
Në vazhdim Real Madridi pati thuajse në shumicën e periudhave të ndeshjes mbozitërimin në fushë, duke qenë skuadra që për çdo moment ia dilte ta diktonte tempon e lojës.
Pjesa e parë kishte më shumë gjallëri, ndërsa e dyta u luajt me më shumë takticizime, me Carlo Ancelottin që në fund iu gëzua tre pikëve të plota që e shpijnë Real Madridin përkohësisht në vendin e parë në tabelë me 22 pikë.

Getafe për momentin renditet në pozitën e 16-të me 7 pikë të tubuara dhe kjo e sotmja ishte humbja e dytë radhazi për ta.
Sa i përket Ligue 1, me fillim në ora 21:00 u zhvillua ndeshja mes Reims dhe PSG, në një sfidë me shumë tension nga të dy anët, ku shpesh u rrezikua edhe kacafytja mes lojtarëve. Sidoqoftë, të gjitha u panë, vetëm golat jo.
Vlen të theksohet që Arbër Zeneli luajti titullar dhe ishte më i rrezikshmi në fushë për Reimsin. Ai ishte për 79 minuta në fushë dhe nuk munguan disa depërtime dehëse nga ai, duke iu afruar shumë golit, por portieri italian Donnarumma ia pamundësoi një gjë të tillë.

Rasti që më së shumti mori vëmendjen e publikut dhe të gjithë ndjekësve të futbollit nga kjo sfidë ishte ai i minutës së 41-të, kur mbrojtësi spanjoll, Sergio Ramos, pa kaluar mirë një minutë e plotë u ndëshkua me dy kartonë të verdhë duke lënë ekipin me inferioritet numerik në fushë.
Në këtë takim titullar nuk ishte Lionel Messi. Ylli argjentinas nuk ishte fare i ftuar për këtë takim.
Gjithsesi, edhe pas xhiros së 10-të parisienët do ta ruajnë statusin e liderëve në kampionat, falë 26 pikëve të grumbulluara. Menjëherë pas tyre renditet rivali i përbetuar Marseille me 23 pikë.
Ndërkaq Reims i Arbër Zenelit vijon në një moment krize, ku nuk din për fitore në pesë takimet e fundit, me ç’rast ka korrur tre barazime dhe dy humbje.

Kësisoj, Reimsi renditet në pozitpn e 14-të me 8 pikë të grumbulluara.
