Real Madridi me shumë vështirësi fiton ndaj Celta Vigos
Real Madridi ka shënuar fitore në xhiron e 10-të të La Ligës, duke e mposhtur me shumë vështirësi Celta Vigon, me rezultat 2:1.
Mbretërit vinin nga një fitore 2:0 ndaj Villarreal dy javë më parë, teksa sot fitorja ishte shumë e rëndësishme për të mos lënë që Barcelona të krijojë më tepër distancë.
Celta Vigo në përgjithësi ishte skuadër më e rrezikshme në 90 minuta, duke shkaktuar shumë probleme për skuadrën e Carlo Ancelottit, me Thibaut Courtois që pati dy intervenime fantastike për të shpëtuar skuadrën.
Kampioni në fuqi i La Ligës doli në epërsi në minutën e 20-të, me golin e jashtëzakonshëm nga Kylian Mbappe, për rezultatin 1:0, ku Eduardo Camavinga ishte në rolin e asistuesit.
Me epërsinë minimale përfundoi pjesa e parë, teksa u shënuan dy gola të tjerë në pjesën e dytë.
Gjashtë minuta pasi filloi pjesa e dytë, Celta Vigo u kthye në lojë, duke barazuar rezultatin në 1:1 me anë të Swedberg.
Por kundërpërgjigja e mbretërve nuk vonoi shumë.
Ishte një veprim fantastik i 39-vjeçarit Luka Modric, që asistoi për mrekulli në zonë te Vinicius Junior, me këtë të fundit që shënoi lehtësisht për 2:1.
Celta Vigo tentoi të barazonte deri në fund dhe përkundër rasteve shumë të mira, nuk ia dolën.
Real Madridi i gëzohet tre pikëve të radhës dhe tani ka 24 pikë në La Liga pas 10 ndeshjeve, aq sa ka Barcelona me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Ndeshja e radhës për skuadrën e Carlo Ancelottit është më 22 tetor në Ligë të Kampionëve, ku përballet me Borussia Dortmund.